Basketbolli në Kosovë është ndër sportet që ngjall interes më të madh te publiku. Ndeshjet qofshin në kuadër të super ligës ose garës për kupë në vazhdimësi kanë tërhequr vëmendjen e sportdashësve në Kosovë dhe rajon.
Klubi i Basketbollit Trepça edhe këtë vit u shpall fitues i Kupës së Kosovës, duke mbrojtur trofeun e fituar vitin e kaluar. Mitrovicasit në finale mundën Sigal Prishtinën me rezultat 74:66.
Ndeshja finale mes rivalëve të moçëm u zhvillua në Rahovec.
Çereku i parë ishte tërësisht i barabartë, ku asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej në rezultat dhe herë njëra kalonte në epërsi e herë tjetra, derisa përfundoi 17:20. Ngjashëm ishte edhe periudha e dytë, që zhvillohej në atmosferë mbresëlënëse dhe me motiv të madh për fitore, derisa përfundoi 41:40.
Edhe perioda e tretë ishte tërësisht e barabartë, duke bërë që gjithçka të vendoset në dhjetë minutat e fundit. E në minutat e fundit mitrovicasit ishin më të vëmendshëm, duke triumfuar 74:66. MVP i Final 8 është shpallur Drilon Hajrizi.
Prishtina në maje
Klubi i Basketbollit Prishtina bindshëm është klubi i cili më tepër e ka fituar Kupën e Kosovës në Basketboll. Prej çlirimit të Kosovës e deri më sot prishtinasit plotë 15 herë e kanë fituar Kupën e Kosovës në Basketboll.
Pas tyre renditen klubet e basketbollit Peja e Trepça, me nga 6 kupa të fitura. Dy kupa në periudhën e paraluftës i ka fituar ekipi i Vëllaznimit nga Gjakova, respektivisht një kupë ka shkuar edhe në Prizren te KB Bashkimi.
Bazuar në të dhënat e Federatës së Basketbollit të Kosovës, prej sezonit 1991/92 e deri më sot gara për Kupën e Kosovës nuk ka vazhduar vetëm gjatë periudhës 1997/98 shkaku i luftës që kishte përfshirë Kosovën.