Befasitë më të mëdha në historinë e Botërorit.     Foto: AA

Arabia Saudite shokoi botën dje me fitoren ndaj një prej pretendentëve për titullin e kampionit, Argjentinës. Për të qenë senzacioni më i madh, fitorja e sauditëve erdhi me përmbysjen e rezultatit në pjesën e dytë, pas avancimit të Argjentinës me golin e Messit nga penaltia.

Fitorja e djeshme e Arabisë Saudite ndaj Argjentinës ishte një ndër befasitë më të mëdha dhe më të papritura në historinë e Kupës së Botës. Por, kjo nuk është befasia e vetme.

TRT Balkan ju sjell 5 befasitë më të mëdha në historinë më të re të Botërorit.

Bullgaria 2-1 Gjermania (1994)

Gjermania synonte të mbrojë titullin e kampionit botëror në Kupën e Botës në ShBA, gjatë paraqitjes së tyre të parë në një kompeticion madhor si shtet i unifikuar pas rënies së Murit të Berlinit.

Në Botërorin e vitit 1994, skuadra gjermane në radhët e saj kishte talentë me përvojë si Lothar Matthaus, Jurgen Klinsmann e Matias Sammer.

Gjermanët kaluan lehtësisht në çerekfinale, por atje u befasuan nga Bullgaria e udhëhequr nga Hristo Stoiçkov. Sulmuesi i Barcelonës e tregoi gjithë potencialin e tij gjatë këtij Botërori.

Koreja e Jugut 2-1 Italia (2002)

Nikoqirët e Botërorit të vitit 2002, të mbështetur nga tifozët mbresëlënës, kishin befasuar tashmë duke kaluar grupin me paraqitje impresive ndaj Portugalisë dhe Polonisë.

Por, kur të gjithë menduan se 1/8 e finales do të jetë stacioni i tyre i fundit, skuadra e udhëhequr nga trajneri Guus Hiddink u përkujdes për senzacionin e radhës. Ata mundën Italinë e Maldinit, Del Pieros e Tottit, duke eliminuar në fazën e hershme një nga pretendentët për titull.

Rrugëtimi i Koresë së Jugut vazhdoi deri në gjysëmfinale, ku u mundën nga Gjermania.

Argjentina 0-1 Kameruni (1990)

Argjentina arriti në Itali për Botërorin e vitit 1990 si kampion i botës në fuqi dhe me pretendime të larta për ta mbrojtur titullin.

Në fakt, nuk ishte shumë larg nga ky qëllim, pasi arriti deri në finale ku u mundën nga Gjermania Perëndimore.

Por, rruga drejt finales nuk shkoi aq lehtë siç mund të kishte parashikuar shumëkush. Në fazën e grupeve, Argjentina u mund 1-0 nga skuadra e Kamerunit, në një nga befasitë më të mëdha të botërorit.

Kameruni më pas u eliminua në çerekfinale nga Anglia me rezultatin 3-2.

Senegali 1-0 Franca (2002)

Një tjetër befasi nga “Botërori i befasive” në Korenë e Jugut dhe Japoni në 2002 ishte fitorja e Senegalit ndaj Francës.

Sërish, Franca mbante “mallkimin” e mbrojtësit të titullit botëror.

Kampionët në fuqi, me yje si Thierry Henry dhe Patric Vieira në radhët e tyre, u mposhtën nga Senegali me golin ikonik të Papa Bouba Diop.

Franca përfundoi e fundit në grup me vetëm 1 pikë në 3 ndeshje, ndërsa Senegali u ndal më pas nga Türkiye në çerekfinale të Botërorit.

Brazili 1-2 Norvegjia (1998)

Brazili ishte ekipi më atraktiv në Botërorin e vitit 1998, me yje si Ronaldo, Rivaldo e Roberto Carlos në skuadër.

Në fazën e grupeve përballeshin me Norvegjinë dhe dukej si një ndeshje normale përderisa Brazili udhëhiqte 1-0 me golin e Bebetos.

Por, Norvegjia arriti të surprizojë botën duke përmbysur rezultatin ndaj Brazilit të madh. Fitorja 2-1 i mundësoi Norvegjisë kalimin në fazën tjetër, por u ndalën nga Italia.

Brazili në anën tjetër arriti deri në finale, por u mposhtën nga nikoqiri Franca me rezultatin 3-0.

Në kampionatet botërore janë arritur edhe shumë rezultate të tjera befasuese. Por, sigurisht se fitorja e djeshme e Arabisë Saudite është ndër befasitë më të mëdha. Do të mbahet mend gjatë kjo humbje e Argjentinës në Botërorin e fundit të karrierës për Lionel Messin.

TRT Balkan