Nga qershori deri në shtator futbolli evropian lë fushat dhe “zhvillohet” në zyrat e klubeve. Në këtë periudhë po vijon afati i transferimeve dhe secili klub po lëviz për të realizuar projektin e tyre sportiv.
Disa futbollistë nga vendet e rajonit kanë shkëlqyer në sezonin e fundit dhe janë në vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane për transferim të mundshëm gjatë kësaj vere.
TRT Balkan ju sjell futbollistët më të vlerësuar nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, sipas faqes së specializuar Transfermarkt.
Shqipëri
Armando Broja Chelsea 28m
Kristjan Asllani Inter 12m
Berat Xhimshiti Atalanta 10m
Myrto Uzuni Granada 9m
Marash Kumbulla Roma 8m
Armando Broja është lojtari më i shtrejtë shqiptar aktualisht, me vlerë 28 milionë euro sipas faqes së specializuar Transfermarkt. Sulmuesi 21-vjeçar aktualisht është lojtar i gjigantit anglez Chelsea, ndërsa pret të dëgjojë planet e trajnerit të ri të skuadrës londineze, Mauricio Pochettino. Lojtari i kombëtares shqiptare mund të vazhdojë në Chelsea ose të kalojë në huazim tek një skuadër tjetër, siç bëri para 2 sezonesh në Southampton ku kishte paraqitje fantastike.
I dyti më i vlerësuar është Kristjan Asllani, lojtari shpresëdhënës nga radhët e Interit. Ekipi italian, i cili arriti në finalen e Ligës së Kampionëve këtë vit, dëshiron ta mbajë në ekip shqiptarin, duke i dhënë hapësirë që të rritet, marrë parasysh se bëhet fjalë për një 21-vjeçar. Vlera e Asllanit aktualisht vlerësohet në 12 milionë euro.
Berat Xhimshiti i Atalantës vlerësohet në 10 milionë euro. Vlera e tij ka rënë ndjeshëm për shkak të moshës, pasi futbollisti është tashmë në të 30-tat. Rekordi i tij personal për vlerën e kartonit është 22 milionë euro, gjatë vitit 2021.
Myrto Uzuni ka shënuar 23 gola për Granadën këtë vit dhe vlera e tij është rritur në 9 milionë euro. Sulmuesi i skuadrës spanjolle është lojtari i katërt më i vlerësuar shqiptar.
I pesti më i shtrenjtë është Marash Kumbulla, një tjetër futbollist në kampionatin italian. 23-vjeçari luan për skuadrën e Romës dhe vlera e tij vlerësohet 8 milionë euro.
Kosovë
Amir Rrahmani Napoli 25m
Vedat Muriqi Mallorca 15m
Arijanet Muriq Burnley 12m
Milot Rashica Galatasaray 8,5m
Edon Zhegrova Lille 8m
Futbollisti më i shtrenjtë me shtetësi të Kosovës është Amir Rrahmani, i cili vlerësohet 25 milionë euro. Mbrojtësi 29-vjeçar kishte një sezon të shkëlqyer me Napolin, duke u shpallur kampion i Italisë pas shumë dekadash.
Sulmuesi shtatlartë i Mallorcas, Vedat Muriqi, është lojtari i dytë më i shtrenjtë nga Kosova. Vlera e tij aktualisht është 15 milionë euro.
Portieri Arijanet Muriq me vlerë 12 milionë euro sipas Transfermarkt është lojtari i tretë më i vlerësuar nga Kosova. 24-vjeçari e ndihmoi skuadrën e Burnley të ngjitet në Premier Ligën angleze nga kategoria e dytë.
Futbollisti i katërt më i shtrenjtë i Kosovës është Milot Rashica. 27-vjeçari i lindur në Vushtrri u shpall kampion i Türkiyes me Galatasarayin këtë vit. Vlera e tij aktualisht është 8,5 milionë euro.
Futbollisti anësor i skuadrës franceze Lille, Edon Zhegrova, kompleton pesëshen e futbollistëve më të shtrenjtë nga Kosova. Vlera e Zhegrovës, sipas Transfermarkt, është 8 milionë euro.
Maqedoni e Veriut
Elif Elmas Napoli 26m
Enis Bardhi Trabzonsport 4,7m
Ezgjan Alioski Fenerbahçe 4m
Stole Dimitrievski Rayo Vallecano 4m
Arijan Ademi Beijing Guoan 2,5m
Lojtari bindshëm më i shtrenjtë i Maqedonisë së Veriut është Elif Elmas, një tjetër futbollist nga rajoni që u shpall kampion i Italisë me Napolin këtë vit. Vlera e ish-futbollistit të Fenerbahçes vlerësohet 26 milionë euro.
I dyti më i shtrenjtë është mesfushori i Trabzonsporit, Enis Bardhi. Shkupjani specialist i goditjeve të lira vlerësohet 4,7 milionë euro aktualisht.
Ezgjan Alioski i Fenerbahçes dhe portieri i Mallorcës Stole Dimitrievski me vlerë 4 milionë euro ndajnë vendin e tretë dhe të katërt për futbollistin më të shtrenjtë nga Maqedonia e Veriut.
Ish-kapiteni i Dinamo Zagrebit, tani futbollist i skuadrës kineze Beijing Guoan, Arijan Ademi me 2,5 milionë euro është lojtari i pestë më i vlerësuar.