Istanbuli kurorëzon Manchester Cityn kampion evrope / Photo: AA

Manchester City u bë skuadra e 6-të angleze që çon në shtëpi trofeun e Ligës së Kampionëve, pas fitores 1-0 në Istanbul ndaj ekipit italian Inter.

Titullin më të vlefshëm për klubet më parë e kishin fituar skuadrat angleze Aston Villa, Chelsea, Liverpool, Manchester United dhe Nottingham Forest.

Në një festë të futbollit në Stadiumin Olimpik Ataturk në Istanbul, City fitoi me rezultatin minimal 1-0, me Rodrin që gjeti rrjetën në minutën e 68-të.

Ndeshja ishte shumë më e ekuilibruar sesa pritej, ndërsa Interi shpërdoroi disa raste në fund të ndeshjes për të barazuar rezultatin.

Kurora e parë evropiane, City kompleton treshen

Skuadra e udhëhequr nga tekniku spanjoll Pep Guardiola ka arritur të fitojë trofeun e vetëm i cili i mungonte në vitrinën e saj.

Manchester City u mposht nga Chelsea në vitin 2021 në finalen e tyre të parë në këtë kompeticion, ndërsa trofeun e shumëpritur e arritën pas fitores së Istanbulit.

Kështu, City kompleton edhe treshen e trofeve për klubet, pasi këtë stinor u shpallën edhe kampion të Anglisë dhe fitues të kupës kombëtare. Prej skuadrave angleze, një gjë e tillë i kishte shkuar për dore vetëm rivalit Manchester United në vitin 1999.

Vazhdon “tradita” e rezultatit 1-0

Fitorja e Cityt me rezultatin minimal 1-0 ka vazhduar traditën e finaleve që vendosen me vetëm një gol. Është viti i katërt me radhë që kampioni evropian për klube vendoset me këtë rezultat.

Në stinorin 2019/20, Bayern Munich mposhti Paris Saint German me rezultatin e njëjtë. Një vit më vonë, Chelsea mposhtoi Cityn 1-0, ndërsa vitin e kaluar Real Madridi fitoi ndaj Liverpoolit me këtë rezultat.

Organizim shembullor

Finalja e mbrëmshme ishte e dyta që mbahet në Istanbul, pas finales së vitit 2005 mes Liverpoolit dhe Milanit.

Rreth 60 mijë tifozë të huaj vizituan qytetin turk për finalen. Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, i pranishëm në finale, përgëzoi fituesin dhe falënderoi organizatorët për organizimin e përkryer.

“Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që dëshmuan edhe një herë mikpritjen e Türkiyes dhe kontribuan në organizimin e mirë dhe të suksesshëm të këtij eventi të madh”, shkroi Erdoğan në Twitter.

Impakti ekonomik për qytetin për fundjavën e finales vlerësohet të jetë rreth 80 milionë euro.


AA