Italia heton përshëndetjen e supozuar fashiste në ndeshjen e Juve Stabia.        Foto: AA

Në video shfaqen disa fansa duke bërë gjeste me krahët e shtrirë, një lëvizje që disa besojnë se i ngjan një përshëndetjeje fashiste.

Zyrtarët italianë të futbollit po hetojnë një përshëndetje të supozuar fashiste nga disa tifozë pasi Romano Floriani Mussolini, stërnipi i Benito Musolinit, shënoi një gol në një ndeshje fundjavën e kaluar.

Sipas mediave lokale, Federata Italiane e Futbollit ka nisur një hetim për veprimet e disa tifozëve të Juve Stabia pasi Romano Floriani Mussolini shënoi golin e fitores kundër Cesena në një ndeshje të nivelit të ulët.

Romano (21) është stërnipi i diktatorit italian Benito Musolini, i cili sundoi Italinë nga viti 1922 deri në 1943, dhe djali i Alessandra Musolinit, një ish-deputete italiane dhe evropiane.

Videoja tregon tifozët e Juve Stabia duke brohoritur "Mussolini" pasi Romano shënoi, me disa tifozë duke bërë gjeste me krahët e shtrirë, një lëvizje që disa e kanë quajtur një përshëndetje fashiste.

Romano është i huazuar te Juve Stabia këtë sezon, pasi ka ardhur nga Lazio.

Juve Stabia ka mohuar raportimet e mediave se tifozët e tyre kanë bërë një përshëndetje fashiste.

Klubi tha se ata nuk ishin të shqetësuar sepse tifozët e tyre kanë festuar golat në të njëjtën mënyrë që nga themelimi i ekipit në 1907.

Ata shpjeguan se kur shënohet një gol, emri i golashënuesit shpallet me zë të lartë në altoparlantin e stadiumit dhe turma thërret mbiemrin e tij, me tifozët që "ngrenë duart drejt qiellit" për ta shprehur lumturinë e tyre.

TRT Balkan / agjencitë