Në një vit kalendarik ku prezent është organizimi i Kupës së Botës në futboll, pa dyshim se kryefjala e atij viti qëndron pikërisht ky eveniment i madh sportiv, i cili organizohet një herë në 4 vjet.
Në fund të këtij viti TRT Balkan ka bërë një përmbledhje të ngjarjeve sportive që kanë tërhequr vëmendjen e sportdashësve duke filluar nga kjo e fundit.
Kupa e Botës në Katar, edicioni me shumë veçori
Kështu, viti 2022 në aspektin sportiv më së shumti do të mbahet mend për Kupën e Botës në Katar, veçantia e së cilit jo vetëm që është mbajtur për herë të parë gjatë stinës së vjeshtës, por nga mënyra e organizimit dhe shumë kuriozitete të tjera.
Katari është vendi i parë mysliman që organizoi një event të madh si Kupa e Botës ose Lojërat Olimpike.
Kupa e Botës në Katar ishte më e shtrenjta në historinë e këtij kompeticioni deri më tani, duke shpenzuar një shumë marramendëse prej 220 miliardë dollarësh.
Për herë të parë nuk është shërbyer alkool në tribunat e stadiumit gjatë ndeshjeve të Kupës së Botës.
Kampionati Botëror “Qatar 2022” do të jetë edicioni i fundit i kësaj gare, në të cilin do të luajnë 32 kombëtare.
Nga viti 2026, Kupa e Botës do të përbëhet nga 48 kombëtare.
Po ashtu, ky kampionat do të mbahet mend në veçanti për futbollistin e njohur Lionel Messi, i cili në kulmin e karrierës së tij arriti të shpallet kampion bote me Argjentinën, kupa e vetme që i mungoi në sirtaret e tij.
Ndërroi jetë futbollisti legjendar brazilian Pele
Muaji i fundit i vitit 2022, përveç Kupës së Botës, do të lërë gjurmë edhe për faktin se më 29 dhjetor të këtij viti ndërroi jetë futbollisti legjendar brazilian Pele.
Legjenda e futbollit brazilian, Pele, humbi luftën me kancerin e zorrës së trashë dhe ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare.
I parë si lojtari më i madh i të gjitha kohërave dhe madje i quajtur “më i madhi” nga FIFA, Pele i mundësoi Brazilit të fitonte tri Kupat e Botës rekord në 1958, 1962 dhe 1970.
Roger Federer pensionohet nga tenisi në moshën 41-vjeçare
Në vitin 2022 përfundoi epoka e njërit ndër teniserët më të mirë në botë.
Zvicerani Roger Federer i tha lamtumirën tenisit më 23 shtator të këtij viti pas një mbrëmje me një garë të fundit përpara se të dalë në pension në moshën 41-vjeçare.
Ai kishte një karrierë që zgjati gati një çerekshekull dhe përfshin njëzet tituj Grand Slam.
Spanja kampione, 4 herë në gjashtë Eurobasketet e fundit
Spanja mund të thuhet që ka marrë dominimin total në basketbollin evropian që prej vitit 1999, prej kur non-stop është në gjysmëfinale të garës.
Ndërsa në gjashtë Eurobasketet e fundit, katër herë është bërë kampione, që është edhe rekord për një përfaqësuese në basketbollin pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe të Jugosllavisë.
Në kampionatin evropian të këtij viti Spanja në finale arriti të mposhtë Francën me rezultat 88-76.
Suedia rikthen titullin e kampionit evropian në hendboll
Në një finale dramatike përfaqësuesja e Suedisë në Kampionatin Evropian të hendbollit (Budapest) arriti të mposhtë Spanjën në sekondën e fundit të ndeshjes finale me rezultat 27:26.
Kështu, pas dy dekadave titulli i kampionit evropian rikthehet në Suedi.
Me këtë titull skandinavët nga Suedia mbajnë ende epitetin e përfaqësueses më të suksesshme në garat evropiane, gjithsej pesë, dy më shumë se Franca, ndërsa Spanja, Danimarka e Gjermania nga dy.