Ndeshja ndërmjet Argjentinës dhe Francës është finalja e tretë e Kupës së Botës që fituesi i saj është përcaktuar pas gjuajtjes së penalltive.
Argjentina nën udhëheqjen e futbollistit më të mirë në botë, Lionel Messit, arriti të shpallet Kampion i Botës në Katar 2022.
Pas një ndeshje dramatike ku rezultati përfundimtar ndërmjet Argjentinës dhe Francës pas 90 minutave lojë ishte 2:2, ndeshja shkoi në vazhdime, me ç'rast pas 30 minutave shtesë të dyja skuadrat shënuan edhe nga një gol tjetër për rezultat final 3:3.
Golashënues te Argjentina ishin Lionel Messi në minutën e 23-të e 108-të dhe Di Maria në minutën e 36-të.
Nga ana tjetër, golashënues për Francën ishte Kylian Mbappe i cili arriti të regjistrojë hat-trick në minutën e 80-të, e 81-të dhe të 118-të.
Fituesi i ndeshjes u përcaktua pas gjuajtjeve të penalltive, ku Argjentina ishte më e mirë me rezultat 4:2.
Dy finale të tjera në penallti
Kampionati Botëror i vitit 1994 u zhvillua në Shtetet e Bashkuara, dhe për herë të parë kupa u fitua pas gjuajtjeve të penalltive pasi koha e rregullt dhe ajo shtesë e finales përfunduan me 0-0. Ishte Brazili që dominoi duelin me Italinë nga pika e bardhë (3–2), me gabimin fatal të Roberto Baggios.
Ndeshja tjetër finale ku fituesi i Kupës së Botës u përcaktua pas gjuajtjes së penalltive ishte ajo ndërmjet Italisë dhe Francës, në vitin 2006 në Gjermani.
Kjo ndeshje në minutat e rregullta mbaroi 1-1, ndërsa Italia kësaj radhe për dallim nga viti 1994 ishte me fat, dhe shpallet Kampion Bote për herë të katërt, duke fituar (5-3) me penallti.
Katar 2022, ndeshje me më së shumti penallti
Edicioni i sivjetshëm i Kupës së Botës në Katar do të mbahet mend si turneu ku më së shumti ndeshjet janë vendosur pas realizimit të penalltive.
Përfshirë finalen e mbrëmshme, atë ndërmjet Argjentinës dhe Francës gjithsej 5 ndeshje në kohën e rregulltë dhe atë shtesë kanë përfunduar pa fitues, me ç’rast penalltitë kanë përcaktuar fituesin.
Këto ndeshje janë: Japoni-Kroaci 1-1 (1:3 në penallti), Marok-Spanjë 0:0 (3:0 në penallti), Kroaci-Brazil 1-1 (4:2 në penallti), Hollandë-Argjentinë 2-2 (4:3 në penallti) dhe finalja Argjentinë-Francë 3-3 (4:2 në penallti).
35 ndeshje me penallti gjatë historisë
Që nga periudha e vendosjes së rregullit për ekzekutimin e penalltive në Kupën e Botës nga viti 1982 e deri më sot, gjithsej 35 ndeshje janë vendosur nga pika e bardhë.
Në vitin 1982 në Kampionatin Botëror të Spanjës ka qenë ndeshja e parë e historisë ndërmjet Gjermanisë Perëndimore dhe Francës ku fituesi i ndeshjes është përcaktuar pas gjuajtjes së penalltive, me fitore të gjermanëve.
Në vitin 1986 në Kampionatin Botëror të Meksikës 3 ndeshje mbaruan pas ekzekutimit të penalltive, në vitin 1990 në Kampionatin Botëror të Italisë, 4 ndeshje, në vitin 1994 në Kampionatin Botëror të ShBA-së, 3 ndeshje, në vitin 1998 në Kampionatin Botëror të Francës, 3 ndeshje, në vitin 2002 në Kampionatin Botëror të Koresë së Jugut dhe Japonisë, 2 ndeshje, në vitin 2006, në Kampionatin Botëror të Gjermanisë, 4 ndeshje, në vitin 2010, në Kampionatin Botëror të Afrikës së Jugut, 2 ndeshje, në vitin 2014, në Kampionatin Botëror të Brazilit, 4 ndeshje, në vitin 2018, në Kampionatin Botëror të Rusisë, 4 ndeshje, dhe në vitin 2022, në Kampionatin Botëror të Katarit, rekord 5 ndeshje.