Nuk ka dyshim se Manchester City është kampion i merituar i Premierligës këtë vit, mirëpo është ende e rëndësishme të kujtojmë se si u realizua suksesi i fundit i klubit që të shpallet pesë herë kampion në ligën më të fortë evropiane në gjashtë vitet e fundit.
Që kur Abu Dhabi United Investment Group bleu Manchester Cityn në vitin 2008, udhëheqja e re e klubit nën kryesimin Khaldoon Al Mubarak e ka transformuar këtë skuadër nga mediokracia e mesme në një fuqi botërore të futbollit, duke fituar shtatë tituj të Premier League që nga titulli i parë në 2011/12. Megjithatë, suksesi i Cityt është parë gjithmonë me dyshim, pasi nuk do të ishte i mundur pa muskujt financiarë të pronarëve të tij nga Emiratet.
Kostoja e suksesit të Manchester Cityt dhe klubeve të tjera
Kur jemi te muskujt financiarë, ashtu siç e potencuam më lart, asnjë klub në futbollin botëror nuk ka shpenzuar pothuajse aq para për transferime gjatë 15 viteve të fundit sa City nën pronësinë e Abu Dhabit.
Sipas Transfermarkt.de, një uebsajt gjerman i specializuar për transferimet e futbollit, shpenzimet neto të transferimeve të Manchester Cityt që nga viti 2008 arrijnë në 1,454 miliardë euro (shpenzimet e transferimit minus të ardhurat e transferimit), duke tejkaluar rivalin lokal Manchester United me pothuajse 200 milionë euro dhe Chelsea në pronësi të dikurshme ruse dhe tani amerikane me më shumë se 300 milionë euro. City gjithashtu përballet me më shumë se 100 akuza në Premier League për gjoja shkelje të rregulloreve financiare, duke e turbulluar më tej triumfin e tij të fundit.
Kjo nuk është për të nënçmuar arritjet e klubit në fushë. Në fund të fundit, "paraja nuk shënon gola" siç kishte thënë trajneri legjendar gjerman Otto Rehagel në 1995.
Të shikosh nëpër qytet në klubin tjetër të Mançesterit mjafton për të ilustruar se vetëm paratë nuk garantojnë sukses.
Që kur Sir Alex Ferguson u tërhoq në vitin 2013, Manchester United ka luftuar për të përmbushur emrin e tij, pavarësisht se ka shpenzuar pothuajse aq sa rivali i tij vendas.
Pas Cityt, skuadrat që më së shumti kanë shpenzuar për përforcime gjatë periudhës së transferimeve në 15 vitet e fundit janë: Manchester United (1,270 miliardë euro), Chelsea (1,128 miliardë euro), Barcelona (825 milionë euro), Arsenal (766 milionë euro), Juventus (634 milionë euro), Milan (541 milionë euro), Bayern Munchen (511 milionë euro) dhe Liverpool 501 milionë euro.