Kontributi i Ali Sami Yenit në futbollin dhe sportin e Türkiyes.     /Foto: AA

Si sot, 72 vjet më parë, ndërroi jetë Ali Sami Yen (Ali Sami Frashëri), i biri i Shemseddin Sami Frashërit, njërit prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe dhe asaj turke.

Në opinionin më të gjerë shqiptar dhe turk, Ali Sami Yen njihet edhe si themeluesi i klubit të njohur futbollistik nga Istanbuli, Galatasaray. Ai kishte kushtuar gjithë jetën futbollit turk. Biri i dytë i Sami Frashërit, Ali Sami Yen ka lindur më 20 maj të vitit 1886 në Istanbul.

Shkollimin e tij të parë e ka marrë nga babai, ndërsa më pas është dërguar në liceun e Galatasarayit. Yen, gjatë arsimit ka ndjekur nga afër zhvillimet politike, letrare dhe sportive të periudhës. Me një grup shokësh të klasës vendosën të themelojnë një klub futbolli. Ali Sami Yen dhe shokët e tij në tetor të vitit 1905 themeluan klubin Galatasaray në një klasë të letërsisë. Ai u bë themeluesi numër një i klubit dhe kryetari i parë.

"Qëllimi ynë është të luajmë kolektivisht si britanikët, të posedojmë një ngjyrë dhe emër dhe t'i fitojmë klubet joturke", ishte synimi i Galatasarayit, sipas Ali Sami Yen.

Gjithashtu, ai ka qenë edhe mesfushori i klubit, një futbollist i dalluar në mesin e të tjerëve, ndërsa kah fundi i vitit 1907 në një ndeshje kundër klubit nga rrethi Kadıköy i Istanbulit të cilin e fituan me rezultatin 3-0 i ishte thyer këmba. Pas kësaj ai nuk arriti të luajë si më parë dhe i dha fund karrierës në futboll.

14 vjet kryetar

Ali Sami Yen, plot 14 vjet ishte kryetari i klubit Galatasaray. Ai nga viti 1905 kur u themelua klubi e deri në vitin 1918, 13 vjet pandërprerë ishte kryetari i klubit ndërsa më vonë në vitin 1925 përsëri u bë kryetar i klubit për një vit.

Ali Sami Yen me sukses e menaxhoi Galatasarayin në një periudhë të vështirë për Perandorinë Osmane dhe në periudhën kur ndodhte Lufta e Parë Botërore. Ai bëri punë të rëndësishme për zhvillimin e fushave të ndryshme të sportit në Türkiye.

Trajneri i parë i kombëtares së futbollit të Türkiyes

Ali Sami Yen, gjithashtu është edhe trajneri i parë i kombëtares së futbollit të Türkiyes. Pasi Türkiye u anëtarësua në Federatën Botërore të Futbollit (FIFA), ndeshjen e parë e luajtën më 26 tetor të vitit 1923 në stadiumin "Taksim" në Istanbul kundër Rumanisë. Türkiye nën drejtimin e Ali Sami Yen barazoi 2-2 me Rumaninë.

Gjurmët e Ali Sami Yenit

Përveç në futbollin vendas turk, Yen ka lënë gjurmë edhe në paraqitjen ndërkombëtare të Türkiyes.

Gjatë karrierës së tij sportive ai kryetari i parë i Organizatës së Parë Sportive në Türkiye të themeluar në vitin 1922 si dhe kryetari i Komitetit Kombëtar Olimpik të Türkiyes. Ali Sami Yen u bë themeluesi i muzeut të parë sportiv si dhe shkrimtari i librit të parë të futbollit në Türkiye.

Ndërroi jetën në moshën 65-vjeçare, më 29 korrik të vitit 1951.

TRT Balkan / agjencitë