Kosova për herë të parë nikoqire e Kampionatit Evropian të Xhudos / Foto: Reuters

Për herë të parë në histori, në Kosovë do të mbahet Kampionati Evropian i Xhudos "European Judo Championships Open Prishtina 2023" më 16 dhjetor 2023.

Federata e Xhudos e Kosovës njofton se ngjarja më e madhe sportive në vend do të mbledhë sportistë nga 50 shtete pjesëmarrëse me mbi 100 xhudistë elitarë të cilët do të garojnë për çmimin e madh prej 300 mijë eurove në total, në të gjitha kategoritë.

"Logoja e Kampionatit Evropian është frymëzuar nga ngjyrat bardh dhe kaltër të Prishtinës, qytetit ku do të mbahet Kampionati; ilustrimit të objektit të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve ku do të mbahet Kampionati më 16 dhjetor 2023; dhe ilustrimin e përshëndetjes - Rei - në xhudo si një ndër elementet kryesore të xhudos që simbolizon respektin dhe mirënjohjen, kështu për të reflektuar edhe vlerën kryesore të vendit tonë - mikpritjen - dhe për të dëshmuar traditën e xhudos në Kosovë, vendin e 3 medaljeve të arta olimpike", njofton federata.

Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos, "European Championships Open", organizohet në kuadër të programit shtetëror, "Kosova, shtet i xhudos" nga Federata e Xhudos e Kosovës, dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit dhe Federata Evropiane të Xhudos.

AA