Pas ndalesës së verës, këtë fundjavë kthehet futbolli elitar evropian. Premier Liga angleze, La Liga e Spanjës dhe Ligue 1 franceze u kthehen terreneve të blerta për sezonin futbollistik 2023/24. Ndeshjet kampionale fillojnë edhe në Türkiye, me sezonin e ri të Superligës.
Premier Liga – shumë pretendentë për titullin kampion
Manchester Unitedi është ende skuadra më e suksesshme në Premier Ligë me 13 tituj në 31 sezone. "Djajtë e Kuq" e fituan kampionatin për herë të fundit në vitin 2013. Premier Liga në këtë format startoi në vitin 1992. Shtatë klube kanë fituar titullin e kampionit të Premier Ligës, përkatësisht Manchester United, Arsenal, Chelsea, Manchester City, Blackburn Rovers, Leicester City dhe Liverpool.
Manchester City mbron titullin e kampionit, ndaj pretendentëve si Arsenali, Manchester United, Liverpool, Chelsea dhe ekipe të tjera që pretendojnë befasinë.
Sezonit të ri i parapriu një periudhë aktive e transfereve. Arsenali u përforcua me mesfushorin anglez Declan Rice nga West Ham United dhe sulmuesin gjerman Kai Havertz nga Chelsea.
Qendërmbrojtësi kroat Joshko Gvardiol mbërriti në Manchester City këtë verë nga klubi gjerman RB Leipzig, ndërsa City solli në radhët e tij edhe kroatin tjetër Mateo Kovaçiq nga Chelsea.
Chelsea u përforcua me Christopher Nkunku nga RB Leipzig, dhe një sërë prurjesh të reja.
Reprezentuesi anglez Mason Mount është larguar nga Chelsea dhe u është bashkuar rivalëve të përbetuar, Manchester United. Sulmuesi i Atalantas Rasmus Hojlund nga Danimarka është një tjetër përforcim në radhët e Manchester Unitedit, bashkë me portierin kamerunas Andre Onana nga skuadra italiane Inter Milan.
Liverpooli nënshkroi fituesin e Kupës së Botës Alexis Mac Allister dhe hungarezin Dominik Soboszlai.
Mesfushori italian Sandro Tonali i është bashkuar Newcastle United nga Milani. Ai ishte një nga lojtarët standard të Milanit në sezonet e kaluara. Tottenham Hotspur ka sjellë James Maddison nga Leicester City, por ka shitur kapitenin Harry Kane te Bayern Mynihu.
La Liga - “El classico” e përjetshme Barca – Real, me Atletico Madridin ambicioz
Në Spanjë, Barcelona e ka detyrën e vështirë të mbrojtjes së titullit të kampionit. Pretendenti kryesor është sigurisht Reali i Madridit, por edhe skuadra tjetër kryeqytetase, Atletico Madrid, e cila ka pasur rezultate të mira në vitet e fundit.
Kampioni në fuqi Barcelona është përforcuar me Ilkay Gundogan nga Manchester City, Inigo Martinez nga Bilbao dhe Oriol Romeu nga Girona, ndër të tjerët.
Real Madridi nga ana tjetër ka qenë më aktiv në periudhën e transfereve. Madrilenët nënshkruan anglezin Jude Bellingham nga Borussia Dortmund dhe talentin turk Arda Guler nga Fenerbahçe, por e humbën Karim Benzeman i cili vazhdon karrierën në Arabinë Saudite.
Atletico Madrid ka firmosur me dy mbrojtës që vijnë nga Premier Liga, Caglar Soyuncu dhe Cesar Azpilicueta.
Në historinë e La Ligës, Real Madridi ka 35 tituj, 27 ka Barcelona dhe 11 Atletico Madridi.
Ligue 1 – PSG-ja e nis me probleme
Kampioni në fuqi i Francës, PSG, ishte i përfshirë në dramë përgjatë verës për shkak të mospajtimeve me yllin kryesor të ekipit, Kylian Mbappe, për zgjatjen e kontratës. Klubin e braktisi edhe Lionel Messi, ndërsa mediat shkruajnë se dëshiron të largohet edhe braziliani Neymar.
Me afrimin e lojtarëve si Manuel Ugarte, Milan Skriniar, Goncalo Ramos, Lucas Hernandez, Marco Asensio dhe të tjerë, PSG-ja megjithatë mbetet favorite për titullin.
Marseille do të tentojë të prishë punë për rivalin e përjetshëm. Me disa përforcime si Renan Lodi, Ismaila Sarr dhe Iliman Ndiaye, Marseille do të përpiqet të ndërpresë dominimin e kryeqytetasve në Francë.
Në historinë e Ligue 1, PSG-ja ka më së shumti tituj të fituar, 11 gjithsej, ndërsa Marseille me një më pak ndan vendin e dytë me Saint-Etienne, të dyja nga 10 tituj deri tani.