Liga e Konferencës: Ballkani pranë grupeve, Struga dhe Partizani me humbje / Foto: Facebook - FC Ballkani

Tri skuadrat shqiptare në Ligën e Konferencës kanë sjellë emocione të ndryshme për tifozët në ndeshjen e parë të Play-offit për fazën e grupeve të kompeticionit të tretë evropian.

Ballkani me një superndeshje ndaj Bate Borisovit arriti të fitojë bindshëm, duke u afruar shumë pranë përsëritjes së suksesit të vitit të kaluar, kur ishte pjesë e grupeve.

Partizani i Tiranës kthehet me rezultat aktiv nga Astana, pas humbjes minimale prej 1-0.

Struga humbi me rezultatin e njëjtë minimal, por si nikoqir i islandezëve të Breidablik. Struganëve do t’u duhet një ndeshje shumë e mirë në Islandë për ta përmbysur rezultatin si mysafir.

Ballkani 4-1 Bate Borisov

Kampioni i Kosovës, Ballkani, vazhdon të ofrojë mbrëmje të jashtëzakonshme për tifozët e saj. Në një ndeshje të vështirë ndaj skuadrës bjelloruse me traditë dhe përvojë në kompeticionet evropiane, Ballkani një prej fitoreve më të thella në historinë e saj në Evropë.

Fillimi i ndeshjes nuk dha sinjale të një nate perfekte: bjellorusët kaluan në epërsi që në minutën e 10-të ndaj skuadrës së udhëhequr nga trajneri Ilir Daja.

Megjithatë, kosovarët nuk humbën aspak sistemin e lojës dhe gjetën golin e barazimit në minutën e 31-të, nëpërmjet mbrojtësit Bajram Jashanica.

Në pjesën e dytë, sulmuesi 23-vjeçar Bleart Tolaj shënoi dy herë, ndërsa mbrojtësi i djathtë Armend Thaqi vulosi rezultatin e thellë 4-1 një minutë para përfundimit të kohës së rregullt.

Ndeshja e kthimit luhet të enjten e ardhshme, ndërsa skuadra bjelloruse ndeshjet evropiane si nikoqir i luan në Hungari.

Astana 1-0 Partizani

Skuadra tiranase e Partizanit u mposht në Kazakistan nga Astana me rezultatin 1-0, duke mbajtur të hapur çështjen e kualifikimit përpara ndeshjes së kthimit në Tiranë.

Kazakët dominuan ndeshjen dhe gjetën golin e epërsisë në minutën e 41-të. Partizani gjatë gjithë ndeshjes u orientua kryesisht në mbrojtje, duke synuar një rezultat aktiv për ndeshjen e kthimit.

Përkundër dominimit, Astana nuk arriti të gjejë golin e dytë, ndërsa 3 gola iu anuluan për pozitë jashtë loje.

Struga 0-1 Breidablik

Skuadra e Strugës u mposht si nikoqir nga skuadra islandeze Breidablik, përkundër dominimit të nikoqirëve.

Struganët tundën rrjetën të parët me një gol të Bunjamin Shabanit, por që u anulua nga VAR-i.

Goli i vetëm i ndeshjes erdhi në minutën e 35-të të pjesës së parë, kur shënoi skuadra nga Islanda.

Struga mbylli ndeshjen me 10 lojtarë, pasi në minutat e fundit të takimit Vangjel Zguro u ndëshkua me karton të kuq.

Struganët udhëtojnë në Islandë pas 7 ditësh me rezultat negativ dhe me detyrën më të vështirë në ndeshjen e kthimit.

TRT Balkan