Partizani, Ballkani dhe Struga kualifikohen në Play-off të Ligës së Konferencës dhe tani do të kenë pengesat e fundit para kalimit në grupet e këtij kompeticioni.
Të kuqtë nga Tirana, skuadra e Partizanit, mbërriti deri në fazën Play-Off të Ligës së Konferencës teksa mposhtën në Elbasan Arena me shifrat 1-0 Valmierën. Pas triumfit në transfertën letoneze me shifrat 1-2, të besuarit e trajnerit Zoran Zekic u konfirmuan superiorë ndaj rivalëve. Kampionët e Shqipërisë arritën të zhbllokonin rezultatin në minutën e 21-të, Tedi Cara realizoi nga pika e bardhë e penalltisë.
Ishte Arinaldo Rrapaj ai që fitoi faullin pas një kontakti në zonë dhe sulmuesi Cara konfirmoi formën në këtë fillim të sezonit. Në vijim, Partizani provoi sërish me Carën, Gjelbrim Taipin dhe Grezdën, por rezultati nuk ndryshoi dhe ndeshja u mbyll me rezultatin përfundimtar 1-0.
Nga ana tjetër, Ballkani rishkroi historinë në Evropë. Kampionët e Kosovës, të drejtuar nga Ilir Daja, shkojnë për herë të dytë radhazi në play-off të Ligës së Konferencës, duke kërkuar për të dytin në sezonet grupet e këtij kompeticioni.
Pasi fituan 2-0 në Prishtinë ndaj Lincoln të Gjibraltarit, ekipi Suhareka fitoi edhe në kthim, kësaj here 1-3, duke u kualifikuar me rezultatin e përgjithshëm, 5-1.
Ndërkaq Struga Trim Lum, ndonëse pësoi disfatë në transfertë ndaj Swift Hesperange të Luksemburgut me rezultat 2:1, arriti të kualifikohet në fazën e Play-off, edhe atë falë epërsisë që krijoi me fitoren 3:1 gjatë javës së kaluar si nikoqir.
Kundërshtarët në Play-off
Pas suksesit në raundin e tretë të kualifikimeve, aventura evropiane e skuadrave shqiptare vijon në Play-off të Ligës së Konferencës si pengesa e fundit para kalimit në grupet e kësaj gare.
Skuadra e Partizanit do të përpiqet që nëpërmjet Astanës së Kazakistanit të futet në grupe, Ballkani për kundërshtarë në Play-off do të ketë Bate Borisovin e Bjellorusisë, ndërsa Struga synon të shkruajë historinë me fitore eventuale ndaj skuadrës Breidablik të Islandës.