Miliardat në futbollin evropian: cilat skuadra shpenzuan më shumë? / Foto: Reuters

Klubet kryesore evropiane kanë shpenzuar miliarda euro për blerjen e lojtarëve në vitet e fundit. Futbolli gjithnjë e më shumë po rritet si industri multimiliardëshe, ndërsa këtë e tregojnë edhe të dhënat për shpenzimet marramendëse për blerjen e lojtarëve.

Qendra Ndërkombëtare për Studime Sportive publikoi së fundmi analizën e transaksioneve të 100 klubeve më aktive në botë për shitblerjen e lojtarëve në dekadën e fundit.

Gjithsej tri klube kanë bilanc negativ prej më shumë se 1 miliard euro nga shitblerja e lojtarëve nga viti 2014.

Manchester United me më së shumti humbje nga transferimet

Që nga viti 2014 bilancin më negativ e ka Manchester United (-1.396 miliardë euro)

Dy skuadra të tjera kanë pasur humbje transferimesh prej më shumë se 1 miliard euro gjatë dhjetë viteve të fundit: Chelsea (-1.033) dhe Paris St-Germain (-1.010).

Top 5-shën me më shumë humbje nga transferimet në dekadën e fundit e përbëjnë edhe dy ekipe të tjera angleze, Arsenal (-872 milionë) dhe Manchester City (-856 milionë).

Chelsea ka gjithashtu bilancet më negative në periudhën pas COVID-19 (-993 milionë euro) dhe vitin kalendarik 2023 (-558 milionë euro).

Benfica dhe Ajax, kampionë të shitjes

Në skajin tjetër, bilancin më të mirë në dekadën e fundit e ka ekipi portugez, kampion në fuqi i Portugalisë, SL Benfica (+764 milionë euro).

Benfica ndiqet nga klubi holandez AFC Ajax (+ 434 milion €) dhe klubi austriak RB Salzburg (+ 422 milion €) gjatë dekadës së fundit, ndërsa Villarreal ka shpenzimet neto më pozitive në vitin kalendarik 2023 (+ 117 milion €).

Mbi 12 miliardë për transferime këtë vit

Raporti i CIES tregon gjithashtu se gjatë vitit kalendarik 2023, për transferimin e futbollistëve klubet botërore paguan 12,4 miliardë euro gjithsej. Ky është një rekord i ri dhe tejkalon për 25% vitin 2019, që ishte rekord paraprak.

Raporti thotë se rritja marramendëse e shpenzimeve këtë vit është për shkak të investimeve të klubeve të Premier Ligës angleze dhe erës së re të futbollit saudit. Pas transferimit të Cristiano Ronaldos në Arabinë Saudite, dhjetëra lojtarë të tjerë nga Evropa i ndoqën hapat e tij, ndërsa klubet saudite paguan qindra miliona për transferimin e tyre.

TRT Balkan