Me ndeshjen mes Katarit dhe Ekuadorit, të dielën fillon edicioni i 22-të i Kupës së Botës në futboll, eventit sportiv më të ndjekur globalisht. Për trofeun prestigjioz garojnë 32 ekipe kombëtare të ndara në 8 grupe, ndërsa ndeshja finale që përcakton fituesin do të luhet më 18 dhjetor, në Ditën Kombëtare të Katarit.
Gjithsej 64 ndeshje do të luhen në 8 stadiumet e Katarit të ndërtuara enkas për Kupën e Botës, me kapacitet prej 40.000 deri në 80.000 shikues.
Kupa e Botës për herë të parë në një vend mysliman
Katari është vendi i parë mysliman që organizon një event të madh si Kupa e Botës ose Lojërat Olimpike. Për herë të parë nuk do të shërbehet alkool në tribunat e stadiumit gjatë ndeshjeve të Kupës së Botës, ndërsa organizatorët kanë siguruar birra pa alkool për fansat mysafirë.
Gjithashtu, edicioni në Katar është vetëm i dyti në histori që mbahet në kontinentin e Azisë, pas Kupës së Botës së vitit 2002 kur nikoqirë ishin Koreja e Jugut dhe Japonia bashkë.
Vendi që ka organizuar më shumë edicione të Kupës së Botës është Meksika, me 3 edicione të organizuara. Gjermania, Anglia, Brazili, ShBA-ja dhe Franca kanë qenë nikoqirë të Kupës së Botës nga dy herë.
Edicioni në Katar veçohet edhe për faktin se për herë të parë mbahet gjatë dimrit, për shkak të klimës së nxehtë të Katarit në muajt maj, qershor dhe korrik, kur është organizuar Kupa e Botës tradicionalisht.
Organizimi më i shtrenjtë në histori
Kupa e Botës në Katar është më e shtrenjta në historinë e këtij kompeticioni deri tani. Katari ka shpenzuar një shumë marramendëse prej 220 miliardë dollarësh për të përgatitur sa më mirë Kupën e Botës.
Për krahasim, Rusia në vitin 2018 shpenzoi 11.6 miliardë dollarë, në vitin 2014 Brazilit i kushtoi 15 miliardë dollarë, Afrikës së Jugut në 2010-shin i kushtoi 3.6 miliardë dollarë.
Duhet theksuar se një pjesë e madhe e shpenzimeve, sipas zyrtarëve të Katarit, shkojnë për zhvillimin e infrastrukturës dhe të transportit në kuadër të një vizioni më të gjerë për Planin Nacional Katari 2030.