Partizani dhe Struga Trim Lum dështojnë në Ligën e Kampionëve.  / Foto: AA

Dy skuadrat shqiptare, Partizani dhe Struga Trim Lum, të cilat këtë vit aventurën evropiane e filluan në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit evropian, Ligën e Kampionëve, nuk kishin shumë fat.

Ndonëse ndeshjen e parë e barazoi 1:1 si vendas, skuadra kampione e vitit të kaluar në Shqipëri, Partizani është mposhtur dje si mysafir nga Bate Borisov me rezultat 2:0.

Kampioni shqiptar tregoi paraqitje tejet të mirë gjatë gjithë ndeshjes, por nuk ishte efikas para portës, gjë që edhe i kushtoi shumë.

Pas eliminimit në Ligën e Kampionëve, të kuqtë e partizanit do të vazhdojnë garat evropiane në turin e dytë të Ligës së Konferencës. Ata do të përballen me Atletik Klub D’Eskalades nga Andora.

Ndeshja e parë luhet javën e ardhshme në transfertë, ndërsa e kthimit do të luhet në Tiranë.

Struga Trim Lum humb mundësinë e ballafaqimit me Galatasarayn.

Struga Trim Lum është eliminuar nga eliminatoret e Ligës së Kampionëve, pasi në ndeshjen e kthimit të luajtur në Ohër u mund nga Zhalgirisi me përmbysje me rezultatin 2:1.

Pjesa e parë u mbyll me barazim pa gola, ndërsa pjesa e dytë ishte më atraktive, ku u shënuan tre gola. Të parët që shkuan në avantazh ishte Struga nëpërmjet Besart Ibraimit që shënoi golin nga penalltia në minutën e 75-të, përderisa vetëm dy minuta zgjati gëzimi i struganëve, pasi Zhalgirisi barazoi shifrat në 1:1 me anë të Kendyshit. Ndërkohë minuta e 83-të ishte vendimtare, kur Sava Radiq shënoi autogol nga një tollovi në brenda zonës dhe i dha avantazhin 2:1 ekipit lituanez.

Ky rezultat nuk ndryshoi deri në fund, edhe përskaj përpjekjeve të Strugës për të gjetur barazimin. Kështu, në fund Zhalgirisi me fitoren mori kualifikimin për në xhiron e dytë të Ligës së Kampionëve, ku do të takohet me Gallatasarayn, ndonëse kjo një ballafaqim me gjigantin turk ishte ëndërr e struganëve.

Ndryshe, pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, KF Struga do ta vazhdojë garën evropiane në Ligën e Konferencës në raundin e dytë, ku do të përballet me Buduçnostin e Malit të Zi.

Ballkani e kërkon sonte kualifikimin tutje në Ligën e Kampionëve

Ballkani do ta kërkojë sonte kualifikimin tutje në Ligën e Kampionëve.

Kampioni kosovar e kishte mposhtur javën e kaluar gjigantin bullgar, Ludogorets, me rezultat 2:0 në ndeshjen e parë të rrethit të parë kualifikues të kësaj gare.

E ekipi Portokalli udhëtoi dje i motivuar drejt Bullgarisë në tentim për ta ruajtur kapitalin e krijuar në lojën e parë të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Trajneri Ilir Daja në konferencën për shtyp të mbajtur dje theksoi se skuadra e tij nuk do të mbrohet sonte, pavarësisht rezultatit 2:0 nga ndeshja e parë.

Ndeshja mes Ludogoretsit dhe Ballkanit do të luhet sonte duke filluar nga ora 20:00.

TRT Balkan