Partizani dhe Struga vazhdojnë aventurën evropiane.   / Foto: Air Albania

Një sukses i dyfishtë për skuadrat shqiptare të futbollit në Ligën e Konferencës.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” ndërmjet Partizanit të Tiranës dhe Atletic Club D'Escaldes përfundoi me rezultatin 4:1. Kjo ishte fitorja e dytë e Partizanit pasi si mysafir skuadra shqiptare fitoi me rezultat 0:1.

Golat e fitores për kampionët e Shqipërisë i shënuan Tedi Cara (28’, 45+1’), Arinald Rrapaj (64’) dhe Eros Grezda (90+5’).

Golin e vetëm dhe të nderit për skuadrën nga Andorra e shënoi Rodrigo Piloto (90+4’) nga penalltia.

Partizani në raundin e tretë do të përballet me Valmieran e Letonisë.

Nga ana tjetër, Struga Trim Lum me fitoren 4:3 ndaj Buduçnostit në Podgoricë të Malit të Zi, ka shkruar historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në histori në raundin e tretë të Ligës së Konferencës.

Besart Ibrahimi dhe Bunjamin Shabani (Struga Trim Lum). Struga Trim Lum (Facebook)

Është ky një sukses i jashtëzakonshëm për skuadrën e themeluar vetëm 8 vjet më parë, që tashmë po bën gara denjësisht edhe në arenën europiane.

Fitorja e mbrëmshme në Podgoricë erdhi falë dyshes sulmuese, Marjan Radeski – Besart Ibraimi, që shënuan të gjitha 4 golat.

Kundërshtari i ardhshëm në raundin e tretë të Ligës së Konferencës për Struga Trim Lum do të jetë Swift Hesperange nga Luksemburgu.

Në rast të një fitoreje skuadrat shqiptare do të kalojnë në play off si raundi dhe barriera e fundit për të realizuar ëndrrën e kualifikimit në grupet e Ligës së Konferencës, sukses ky që vitin e kaluar ishte i arritshëm vetëm nga skuadra kosovare, Ballkani.

TRT Balkan