Futbollisti i kombëtares gjermane me origjinë turke, Mesut Özil, njoftoi dje pensionimin nga futbolli. Pas gati 17 vitesh karrierë të bujshme në ligat më të forta të futbollit botëror, Özil vendosi të tërhiqet në moshën 34-vjeçare, për shkak të moshës dhe lëndimeve të cilat e shoqëruan gjatë periudhës së fundit.
“Në javët dhe muajt e fundit, duke pësuar edhe disa lëndime, u bë gjithnjë e më e qartë se është koha ta braktisë skenën e madhe të futbollit”, shkroi Özil në rrjetet sociale.
Së fundmi, ai ishte pjesë e ekipit Başakşehir nga Istanbuli.
Özil vlerësohej si një ndër mesfushorët më të mirë në botë, me aftësi briliante dhe stil unik. Në karrierën e tij arriti plot 222 asistime, ndërsa është futbollisti me më së shumti “hat-trick” të asisteve në një ndeshje, duke e arritur këtë 8 herë.
Gjatë karrierës së tij të pasur, ai barti fanellën e gjigantëve evropianë si Real Madrid dhe Arsenal, duke fituar disa trofe.
Kampion bote me Gjermaninë
Özil lindi në Gelsenkirchen të Gjermanisë, nga një familje emigrante turke. Karrierën e tij futbollistike e nisi në klubin e qytetit të lindjes, në Schalke 04. Gjatë karrierës së tij luajti edhe për Werder Bremen, Real Madrid, Arsenal, Fenerbahce dhe Istanbul Başakşehir.
Pas konsideratave për një kohë, futbollisti me origjinë turke zgjodhi të përfaqësojë vendin e lindjes, Gjermaninë, në nivel të reprezentacioneve. Në vitin 2009 debutoi për Gjermaninë ndaj Norvegjisë.
Në vitin 2012, në një ndeshje kundër Türkiyes, Özil zgjodhi të mos e festojë golin e tij, duke hapur polemika të ashpra në Gjermani.
Mesfushori fitoi Kupën e Botës me Gjermaninë në vitin 2014, duke u siguruar gjermanëve kupën e parë pas 24 viteve me kontribut të madh personal.
Në vitin 2018, para Kupës së Botës, Özil postoi një fotografi me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, gjë që nxiti reagime të mëdha në Gjermani. Mediat dhe një pjesë e opinionit vunë në pikëpyetje lojalitetin e Özilit ndaj Gjermanisë.
Özil e la kombëtaren gjatë të njëjtit vit, duke cituar “racizëm dhe mungesë respekti” nga mediat dhe Federata.
Reagimi për Ujgurët dhe pasojat
Përveç me lojat në fushë, Mesut Özil mbuloi faqet e para të gazetave në vitin 2019 me qëndrimin e tij politik në mbrojtje të Ujgurëve, të cilët po persekutoheshin në Kinë.
Në llogarinë e tij në Instagram, ku që atëherë kishte mbi 20 milionë ndjekës, Özil u bëri thirrje myslimanëve të mos heshtin ndaj persekutimit që u bëhet Ujgurëve.
“Turkistani Lindor, plaga e gjakosur e Umetit, duke rezistuar kundër persekutorëve që përpiqen t'i ndajnë ata nga feja e tyre. Ata djegin Kuranin e tyre. Ata mbyllën xhamitë e tyre. Ata ndalojnë shkollat e tyre”, shkroi mes të tjerash futbollisti.
Klubi i tij i atëhershëm, Arsenali, u distancua menjëherë nga qëndrimet e Özil, për shkak të tregut dhe ndikimeve ekonomike që përfaqëson Kina. Dy kompanitë në Kinë që transmetonin ndeshjet e Premier Leagues angleze fillimisht refuzuan të transmetojnë ndeshjet e Arsenalit për shkak të komenteve të mesfushorit.
Klubi më pas insistoi për uljen e rrogës së Özilit dhe ai u përball edhe me pasoja në pjesën futbollistike.