Premier Liga dominante në merkaton dimërore të futbollit. / Foto: Reuters

Një merkato e qetë e futbollit evropian në afatin kalimtar dimëror të ligave më të mëdha.

Si çdo vit të zakonshëm edhe kësaj radhe, ndonëse jo me shumë vrull, fjalën kryesore e kishin klubet nga Premier Liga angleze.

Një klub më shumë se TOP 10-shi

Duke vlerësuar rezultatet e dobëta në sezonin aktual, ekipi londinez Chelsea e ka shfrytëzuar mundësinë për t'i forcuar radhët e saj me futbollistë cilësorë.

Vetëm Chelsea për tetë futbollistë ka shpenzuar 375 milionë euro ose 47 milionë euro më shumë se 10 klubet e para sa u përket transferimeve, të cilët gjithsej kanë shpenzuar 328 milionë euro.

Thyhet rekordi britanik

Futbollisti i cili shpërtheu në kampionatin botëror të futbollit në Katar, argjentinasi Enzo Fernandez, i cili njëherësh u zgjodh edhe talenti më i mirë, ka bërë transferin më të shtrenjtë në historinë e Premier Ligës.

Chelsea për 22-vjeçarin shpenzoi mbi 120 milionë euro për ta rrëmbyer nga ekipi portugez, atë të Benfikës.

Më parë, transferimi më i shtrenjtë në Premier League ishte transferimi i vitit të kaluar i Jack Grealish nga Aston Villa te Manchester City për 100 milionë euro.

Gjigantët të qetë

Thuajse klubet më të njohura të cilët çdo afat të transferimeve ndodhen në top listë sa u përket shpenzimeve për futbollistë, kësaj radhe kanë qëndruar të qetë.

Klube si Real Madrid, Barcelona, PSG, Manchester United, Manchester City, Bayern München, asnjëri nga këto nuk gjendet në 10-shen e parë sa i përket merkatos dimërore.

Përveç Chelseat, klubet e tjera më aktive në tregun e transferimeve ishin po ashtu nga Premier Liga: Newcastle United, Arsenal, Liverpool, Leeds United, Wolves, Bournemouth, Aston Villa etj.

Asnjë futbollist i njohur

Në afatin dimëror të transferimeve në Evropë jo vetëm që nuk u përfshinë klubet e mëdha, madje asnjë nga futbollistët me emër nuk ka ndryshuar ambientin.

Këto janë transferët më të shtrenjtë: Enzo Fernandez, Mykhailo Mudryk, Benoit Badiashile, Noni Madueke, Malo Gusto (Chelsea), Cody Gakpo (Liverpool), Georginio Rutter (Leeds United), Jakub Kiwior, Leandro Trossard (Arsenal), Hamed Traore, Dango Ouattara (Bournemouth).

Evropa pa ish-futbollistin më të mirë në botë

Ish-futbollisti më i mirë në botë, portugezi Cristiano Ronaldo ka realizuar transferin më të shtrenjtë në historinë e futbollit arab dhe më gjerë.

37-vjeçari besohet se do të paguhet me 200 milionë euro brenda një sezoni.

Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” te klubi Al-Nassr kalon si lojtar i lirë, pasi Manchester United së fundmi kishte shkëputur kontratën me të.




TRT Balkan