Real Madrid dhe Milan janë gjysmëfinalistët e parë në Ligën e Kampionëve në futboll.
Mbrëmë Reali si mysafir në Londër ka mposhtur Chelsean, me rezultat 0:2, njëjtë sikurse në ndeshjen e parë të çerekfinales javën e kaluar.
Pjesa e parë u mbyll pa gola dhe Reali arriti të kalojë në epërsi 0:1 në minutën e 58-të me golin e Rodrigos. Mysafirët rritën epërsinë në 0:2 në minutën e 80-të dhe shënues përsëri ishte braziliani.
Derbi italian mes Napolit dhe Milanit, i cili u luajt në stadiumin “Diego Armando Maradona” të Napolit, përfundoi pa fitues (1:1), por një biletë për gjysmëfinale siguruan mysafirët, të cilët fituan minimalisht 1:0 në ndeshjen e parë.
Milani pati një mundësi për të kaluar në avantazh në minutën e 21-të, por Alex Merret shpëtoi nga pika e bardhë goditjen e francezit Olivier Giroud.
Megjithatë, Milani arriti të kalojë i pari në epërsi në minutën e 43-të me golin e shënuar nga Giroud me ndihmën e portugezit Leao.
Napoli nuk arriti të barazonte në minutën e 82-të, pasi portieri i Milanit, Mike Maignan priti një penallti nga gjeorgjiani Hvicha Kvaratshelia. Mirëpo, nikoqirët arritën të barazojnë rezultatin 1:1 në kohën shtesë me anë të Victor Osimen, por kjo nuk mjaftoi për t'u kualifikuar në gjysmëfinale të Champions League.
Sonte në program janë dy ndeshjet e mbetura të kthimit të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve. Bayern Munich pret në stadiumin Allianz Arena, Manchester Cityn, i cili ka një avantazh 0:3 të arritur në takimin e parë dhe në ndeshjen e dytë Interi pret Benficën në stadiumin Giuseppe Meazza, takim në të cilin Interi ka dy gola avantazh të arritur në takimin e parë.