Roma ka konfirmuar emërimin e Daniele de Rossit në krye të skuadrës për të zëvendësuar José Mourinhon, duke nënshkruar një kontratë deri në fund të sezonit.
“AS Roma është e kënaqur të konfirmojë se Daniele De Rossi është emëruar si trajner deri më 30 qershor 2024”, thuhet në deklaratën zyrtare të Romës.
“Pas një karriere 18-vjeçare me AS Roma, De Rossi do të kthehet në shtëpi si trajner kryesor, ku ndeshja e tij e parë do të jetë ndeshja e ardhshme e klubit në Serie A kundër Veronas të shtunën në mbrëmje në Stadio Olimpico.”, thuhet aty më tutje.
Nga ana tjetër, De Rossi ka thënë se ndihet tejet i privilegjuar që i është besuar kjo përgjegjësi.
“Do të doja të falënderoja familjen Friedkin që më besoi mua përgjegjësinë e rolit të trajnerit të Romës. Nga ana ime, nuk njoh rrugë tjetër përveç përkushtimit, sakrificave të përditshme dhe dhënies së gjithçkaje që kam për të përballuar sfidat që na presin nga tani deri në fund të sezonit”, tha De Rossi.
Kujtojmë se ish-trajneri i Chelsea dhe Manchester United, i cili drejtoi Romën në finalen e “Europa League” sezonin e kaluar pasi fitoi Ligën e Konferencës së Evropës sezonin e kaluar, do të largohet me efekt të menjëhershëm.
“AS Roma” konfirmon se José Mourinho dhe stafi i tij do të largohen nga klubi me efekt të menjëhershëm, thuhet në faqen zyrtare.
“Ne do të donim të falënderonim José në emër të të gjithëve në AS Roma për pasionin dhe përpjekjet e tij që nga ardhja e tij në klub”, shtuan pronarët e klubit Dan dhe Ryan Friedkin.