Kupa e Botës është festival i futbollit, me audiencë prej rreth 5 miliardë njerëzve gjatë edicionit të sivjetëm në Katar, sipas vlerësimeve të FIFA-s.
Por, ndryshe nga edicionet e mëhershme që organizoheshin gjatë verës, Botërori 2022 mbahet në nëntor, për shkak të klimës së Katarit. Për këtë shkak, ndeshjet e Kupës së Botës i kanë gjetur në bankat shkollore një numër të madh të të dashuruarve në futboll të moshës më të re.
Megjithatë, disa prej vendeve pjesëmarrëse në Botëror po i bëjnë zgjidhje edhe kësaj çështjeje. Një pjesë e shkollave janë shndërruar në “tribuna” prej ku tifozët e vegjël ndjekin ndeshjet e kombëtares së tyre.
Kroacia lejon shkollat të shikojnë ndeshjet në vend të mësimit
Ministri i Arsimit në Kroaci, Radovan Fuchs, ka lejuar shkollat që të shikojnë ndeshjet e botërorit në vend të mësimit, nëse ka konsensus për këtë gjë.
Ai nuk sheh gjë të keqe, përderisa orët e humbura të mësimit kompensohen më pas.
“Kjo nuk do të thotë se nxënësit duhet të lëshohen në shtëpi. E theksoj, nëse ka marrëveshje për shikimin e ndeshjeve në shkollë, atëherë mund të shikohet, ndërsa mësimi i humbur do të kompensohet. Por, shkollat duhet të vendosin”, tha Fuchs.
Megjithatë, kjo deklaratë e ministrit është pritur me kritika nga një pjesë e opinionit në Kroaci. Kroatët janë të ndarë rreth kësaj çështjeje.
Shkollat në pauzë gjatë ndeshjeve edhe në Evropën Perëndimore
Uellsi merr pjesë në Botëror për herë të parë që nga viti 1958 dhe autoritetet po përkujdesen që të mbahet mend gjatë kjo festë e futbollit për ta.
Qeveria i ka lejuar shkollat që të mundësojnë nxënësit të ndjekin ndeshjet e Uellsit. Më konkretisht, nxënësit në qindra shkolla të Uellsit do të ndjekin bashkë ndeshjen kundër Iranit në fazën e grupeve, pasi dy ndeshjet e tjera janë jashtë orarit të mësimit.
Shefi ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Uellsit Noel Mooney tha se po punojnë me qeverinë për të krijuar një festival në të gjitha shkollat e vendit për këtë ndeshje.
“Duam që fëmijët ta mbajnë mend paraqitjen tonë, me shpresë se disa prej tyre do të luajnë për ne dhe do të bëhen e ardhmja jonë”, tha Mooney.
Shumë prej shkollave të Anglisë gjithashtu po organizojnë ndjekjen e ndeshjeve të kombëtares bashkërisht me nxënësit.
Chris Dyson, arsimtari përgjegjës i shkollës Parklands në Leeds tha se lejimi i nxënësve për të shikuar ndeshjen në shkollë është vendimi më i mirë, pasi në të kundërtën shumë prej tyre gjithësesi do të mungonin.
“Nëse shkolla ime nuk do të jepte ndeshjet kur unë isha fëmijë, do të merrja ditë të lirë i shtrirë në divan. Futbolli është sporti ynë kombëtar, prandaj nëse fëmijët e dinë se mund të ndjekin ndeshjen, do të vijnë në shkollë”, tha Dyson.
Edhe në Holandë, shumë shkolla nuk do të mbajnë fare mësim kur luan kombëtarja e tyre, ndërsa ato që mbajnë mësim, do të organizojnë shikim të përbashkët të ndeshjeve të Holandës.
Në Danimarkë do të vendosin prindërit nëse duan apo jo që fëmijët e tyre të ndjekin ndeshjet gjatë orarit të mësimit.
Gjermania dhe Franca protestojnë, nuk ka organizime për ndeshjet
Në Gjermani dhe në Francë nuk do të ketë organizime për ndjekjen e ndeshjeve të Botërorit, jo vetëm nëpër shkolla, por as në hapësira publike në qytete.
Ky vendim vjen për shkak të “protestës” dhe kritikave që kanë këto dy shtete ndaj organizimit të Kupës së Botës në Katar, e që lidhen me shkeljen e supozuar të të drejtave të njeriut.
Këto kritika kanë bërë që diplomatët të përfshihen në polemika me qeveritë evropiane, duke i akuzuar ato për fushatë të ashpër kundër Katarit dhe për standarde të dyfishta.
Shkollat në Katar të mbyllura gjatë Botërorit
Katari ka vendosur që gjysmëvjetori i parë në të gjitha shkollat e vendit të përfundojë më herët për shkak të Botërorit. Nga 18 nëntori, nxënësit e Katarit janë në pushim, ndërsa do të kthehen në shkolla më 25 dhjetor, një javë pas përfundimit të Botërorit.
Vendimi i Katarit për ndryshimin e orarit vjetor të mësimit për shkak të Botërorit ka për qëllim edhe uljen e ngarkesës ndaj transportit publik, marrë parasysh se miliona njerëz do të vizitojnë shtetin gjatë 30 ditëve të Kupës së Botës.