Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Sylvinho, ka mbajtur një konferencë për mediat për dy ndeshjet e vlefshme për UEFA Ligën e Kombeve, duke u fokusuar te lista me 24 lojtarët e grumbulluar dhe objektivat e ekipit kuqezi.
Kombëtarja shqiptare ka nisur sot grumbullimin zyrtar në kuadër të ndeshjeve ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë, që do të luhen gjatë muajit shtator, të vlefshme për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Sa i përket objektivit të kuqezinjve në Ligën e Kombeve, Sylvinho tha se Shqipëria është një ekip në rritje dhe në këtë kompeticion ai theksoi se kërkon nga skuadra që të përmirësohet akoma edhe më shumë.
Trajneri Sylvinho tha se Armando Broja nuk do të jetë pjesë e këtij grumbullimi për shkak të një problemi fizik dhe skuadrës do t'i bashkohet sulmuesi Myrto Uzuni. Ai tha se një pjesë e rëndësishme e punës është zbulimi i talenteve për të ardhmen.
Trajneri i kuqezinjve u shpreh më tej se Liga e Kombeve është një kompeticion i rëndësishëm dhe Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Çekinë i konsideroi si skuadra të forta.
Më 30 gusht Sylvinho publikoi listën me 24 lojtarë të grumbulluar për dy ndeshjet e muajit shtator, ku përsa i përket portës janë Thomas Strakosha, Alen Sherri dhe Simon Simoni. Në mbrojtje rikthehet futbollisti Andi Hadroj. Emrat e tjerë që përbëjnë repartin e prapavijës janë: Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli dhe Enea Mihaj.
Trajneri i kuqezinjve ka vendosur të thërrasë për herë të parë në Kombëtaren A mesfushorin Sebastjan Spahiun dhe sulmuesin Agim Zeka, të cilët më parë kanë qenë pjesë e Shqipërisë U-21.
Pjesa tjetër e lojtarëve që përbëjnë repartin e mesfushës dhe të sulmit janë: Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Jasir Asani, Rey Manaj, Myrto Uzuni dhe Taulant Seferi.
Më 7 shtator Shqipëria do të luajë në Çeki ndeshjen e parë ndaj Ukrainës dhe më 10 shtator do të luajë ndaj Gjeorgjisë në stadiumin "Air Albania" në Tiranë.
Në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të UEFA Ligës së Kombeve, Shqipëria ndodhet në grupin B1 së bashku me Çekinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë.