Federata Shqiptare e Futbollit rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares, Sylvio Mendes Campos Júnior, si edhe dy zëvendëstrajnerët, Pablo Javier Zabaleta Girod dhe Dorival Guidoni Junior, njoftoi FShF-ja.
Departamenti i Komunikimit në FShF bëri të ditur se kontrata e re me trajnerin Silvinjo dhe dy asistentët e tij, Zabaleta dhe Dorival, do të zgjasë deri në dhjetorin e vitit 2025 dhe menjëherë do të nisë puna për ndeshjet e UEFA Nations League dhe kualifikueset e Kupës së Botës.
“Sfida e parë është UEFA Nations League, me këtë kompeticion që do t’i shërbejë stafit teknik për të përgatitur sa më mirë ekipin për kualifikueset e Botërorit 2026. Pas suksesit të arritur me kualifikimin në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, tani synimi kryesor do të jetë një kualifikim historik në finalet e Kupës së Botës 2026”, thotë FShF-ja.
“Arritja e marrëveshjes dhe vazhdimi i projektit tregon vizionin e FShF-së për të rritur sa më shumë nivelin e ekipit Kombëtar me objektivin kryesor për të arritur të tjera suksese historike në të ardhmen”, thekson FShF-ja.
Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, Kombëtarja shqiptare arriti të kualifikohet për herë të dytë në histori në një Kampioknat Evropian.