Kampionati i Futbollit në Türkiye do të rinisë më 3 mars. Presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Mehmet Bujukekshi, deklaroi se për shkak të dhimbjes së madhe për mijëra viktima nga tërmeti shkatërrimtar, u vendos që kampionati të shtyhet më shumë se 1 javë, që ishte caktuar fillimisht.
Mirëpo, ka klube nga Super Liga Turke për të cilat kampionati tashmë ka përfunduar para kohe.
Presidenti i unionit të klubeve turke, Ali Koç, njoftoi se skuadra e Hatayspor është tërhequr nga kampionati.
Skuadra e Hatayspor vazhdon ta vuajë faktin se sulmuesi i tyre Kristian Atsu dhe drejtori sportiv Taner Savut rezultojnë ende të zhdukur nën gërmadha.
Tërheqjen e tyre nga Super Liga për sezonin aktual e ka njoftuar edhe Gaziantep, ekipi kryesor i futbollit në një nga provincat e Türkiyes juglindore të goditur rëndë nga tërmetet e javës së kaluar.
“Lufta jonë vazhdon për të shëruar plagët e fatkeqësisë së tërmetit që preku provincën tonë dhe 9 provincat fqinje më 6 shkurt 2023. Pas një fatkeqësie të tillë, nuk mund të flasim as për futboll”, shkroi klubi në faqen e tyre zyrtare.
Sipas komunikatës së klubit, duket e pamundur që klubi të vazhdojë aktivitetet sportive në të gjitha këto kushte të vështira.
“Me një vendim të marrë nga Bordi ynë Drejtues, Gaziantep FK ka vendosur të tërhiqet nga garat e Super Ligës dhe Kupës së Türkiyes Ziraat për sezonin 2022-2023”, thuhet në deklaratë.
Fati i Hatayspor dhe Gaziantep në sezonin e ardhshëm?
Duke pranuar kërkesat për tërheqje, Federata Turke e Futbollit (TFF) ka vendosur që të gjitha klubet e tilla të konsiderohen të mundura (3-0) në ndeshjet e mbetura të sezonit 2022-2023 dhe mund të rifillojnë të luajnë në ligat e tyre përkatëse sezonin e ardhshëm, pa qenë të penalizuara.
Për momentin Hatayspor gjendet në vend të 14-të në renditje, ndërsa Gaziantep në vend të 10-të.
Liga e Dytë Turke
Përveç dy skuadrave të Super Ligës Turke, tërmeti shkatërrues ndikoi edhe në vazhdimësinë e Ligës së Dytë në Türkiye, që po ashtu pritet të rifillojë me vonesë, gjegjësisht me 3 mars.
Skuadra e parë e cila ka njoftuar tërheqjen nga kampionati në Ligën e Dytë është Yeni Malatiaspor. Kjo skuadër humbi portierin e saj, 28-vjeçarin Ahmet Ejup Turkaslan, i cili u gjet i pajetë nën rrënoja.
Të shtunën, klubi i një krahine tjetër të goditur nga tërmeti, skuadra e TFF 1st Lig Adanaspor nga Adana, njoftoi gjithashtu tërheqjen e tyre nga liga.
Rajonet e goditura nga tërmeti
Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë, me qendër në provincën Kahramanmaraş, u ndien nga 13 milionë njerëz në 10 provincat: Adana, Gaziantep, Adiyaman, Diyarbakir, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa.