Grupi i tifozëve të flaktë të Celticut valëvitën flamuj palestinezë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve të UEFA-s kundër Atletico Madridit të mërkurën, pavarësisht apelit nga klubi skocez.
Grupi i tifozëve "Brigada e Gjelbër" njoftoi më parë se do të tregonte mbështetje për Palestinën duke shpalosur flamurin e saj në ndeshjen e së mërkurës.
Klubi tashmë ka ndaluar praninë e tyre në ndeshjet pasi ata edhe në disa ndeshje të tjera kanë valëvitur flamurin palestinez.
Në një mesazh për mbështetësit përpara ndeshjes të së mërkurës, lojtarët dhe stafi stërvitor nga të dyja palët thanë se do të mbanin shirita të zinj "në shenjë respekti dhe mbështetjeje për të gjithë ata që janë prekur nga konflikti".
Konflikti në Gaza filloi kur grupi palestinez Hamas nisi operacionin "Tufani i Al-Aksa-së", një sulm i papritur shumëdimensional që përfshinte lëshimin e një breshërie raketash dhe depërtimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri.
Grupi tha se inkursioni ishte në shenjë hakmarrjeje për sulmet në xhaminë Al-Aksa dhe dhunën në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve. Ushtria izraelite më pas nisi fushatë të pamëshirshme ajrore kundër Rripit të Gazës.
Më shumë se 7.900 njerëz janë vrarë në konflikt, përfshirë të paktën 6.546 palestinezë dhe mbi 1.400 izraelitë.
Gjithashtu, 2,3 milionë banorët e Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant, ndërsa autokolonat e fundit e ndihmave të lejuara në Gaza kanë bartur vetëm një pjesë të asaj që nevojitet.