Skuadra shqiptare, Tirana, e ka siguruar biletën drejt raundit të dytë të kualifikimeve të Ligës së Konferencës, ku tani përballë do ta ketë gjigantin turk, Beşiktaş.
Ndeshjen e parë të zhvilluar në “Air Albania”, Tirana barazoi si vendase me Dinamo Batumin 1:1, ndërsa ndeshjen e mbrëmshme si mysafire në “Batumis Dinamos Satsvrtneli Baza” e mposhti skuadrën gjeogjiane me shifrat 2:1.
Golat për skuadrën shqiptare i shënuan Regi Lushkja (minuta e 28’) dhe Ardit Deliu (minuta e 78’), ndërsa golin e nderit te Dinamo Batumi e shënon Tomike Kapanadze në minutën e 90’ të ndeshjes.
Skuadrat e tjera shqiptare në Ligën e Konferencës
Ndonëse në raundin e parë gjatë kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, Partizani, Ballkani dhe Struga Trim Lum nuk arritën të kalojnë tutje, ata do të vazhdojnë aventurën evropiane në Ligën e Konferencës.
Po ashtu, në mbrëmjen e djeshme skuadra e Shkupit dhe Dugagjinit arritën të regjistrojnë sukses ndaj Hegelmann (të Lituanisë), gjegjësisht Europeas së Gjibraltarit dhe të kualifikohen në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.
Një skuadër tjetër shqiptare e cila do të marrë pjesë direkt në raundin e dytë për shkak të pikavarazhit europian, është Drita e Gjilanit.