Trajneri i Kombëtares Kuq e Zi bëhet shtetas i Shqipërisë.     /Foto: ATA

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvio Mendez Campos Junior, është banori më i ri i qytetit të Lushnjës, madje është rezident i lagjes “Çlirimi”.

Trajneri i kombëtares kuqezi, Silvinjo, ka aplikuar për kartë identiteti e pasaportë në qytetin e Lushnjës dhe zyrat e “Identitek”. Ai dje u shoqërua nga kryetarja e bashkisë Eriselda Sefa dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla.

Pasaportën shqiptare e kanë marrë dhe bashkëpunëtorët e tij, Zabaleta, Laurenti dhe Stesina.

“Lushnja është qyteti i Kongresit të Lushnjës, ngjarje historike për vendin. Lushnja është vendlindje dhe për shumë futbollistë të kombëtares, që kanë shkruar historinë. Urojmë që t'i sjellim fat Kombëtares”, tha Sefa.

“Jam i nderuar të përshëndes në këtë ceremoni të thjeshtë dhe kuptimplotë, të betimit të katër qytetarëve të rinj të bashkisë së Lushnjës. Mes tyre, janë dhe treshja që së bashku me dy anëtarët e tjerë të stafit kanë drejtuar dhe drejtojnë ekipin tonë kombëtar. Së pari, në momentin historik të kualifikimit për herë të dytë në finalet e një evropiani. E dyta, është që jemi këtu në Lushnjë për të bërë ceremoninë e betimit, si qytetarë të denjë të Lushnjës”, tha Balla.

“Është nder që unë dhe stafi im jemi këtu sot. Falënderoj popullin shqiptar që ka besuar në punën tonë. Falënderoj FSh-në dhe gjithë vendin. Ne jemi të lumtur. Kemi bërë një punë të mirë së bashku dhe shumë shpejt kemi një sfidë shumë të rëndësishme. Faleminderit të gjithëve!”, tha Silvinjo.

Marrja e pasaportës shqiptare nga ana e Silvinjos vjen pak ditë përpara se Kombëtarja Shqiptare e Futbollit të nisë grumbullimin për në finalet e EURO 2024, që do të zhvillohet në Gjermani.


TRT Balkan / agjencitë