Pas organizimit të suksesshëm të finales së parë të UEFA Conference League në Tiranë në vitin 2022, si dhe fitimit të së drejtës për të organizuar finalet e Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17, Federata Shqiptare e Futbollit kërkon të organizojë një tjetër event madhor të futbollit europian në Shqipëri.
Shqipëria është një nga kandidatet kryesore për të organizuar ndeshjet finale të Kampionatit Europian 2027 për ekipet kombëtare U-21. FShF-ja i ka dërguar kërkesën UEFA-s, që Shqipëria të jetë një nga vendet pritëse të finaleve të këtij kompeticioni.
Duke qenë se nuk plotësohen kushtet sa i përket numrit të stadiumeve që kërkohen, në mënyrë që Shqipëria të presë të gjitha ndeshjet finale të Kampionatit Europian U-21, Federata Shqiptare e Futbollit do të bashkëpunojë me Federatën Serbe të Futbollit për të pritur së bashku fazën finale të EURO 2027 për grupmoshën U-21.
Përfitimi i organizimit të këtij eventi do ta vendoste Shqipërinë sipas FShF-së në qendër të vëmendjes futbollistike të gjithë kontinentit.