Viti 2022 për sportistët shqiptarë ishte plot eufori.
Shqiptarët në rajon vitin 2022 e shënuan me shumë sukses si në aspektin individual, po edhe atë kolektiv.
Ky vit ka qenë një ndër më të suksesshmit në historinë e sportit shqiptar për sa u përket medaljeve në aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare, me sportistë që e kanë ngritur flamurin kombëtar në shkallën më të lartë të podiumit të evenimenteve madhore.
Në vazhdim TRT Balkan ju sjell disa nga momentet më të mira të këtyre sporteve, ku protagonistë ishin pikërisht shqiptarët.
Vllaznia, ekipi i parë shqiptar që kualifikohet në Ligën e Kampionëve
Atë që ekipet e meshkujve nuk kanë mundur ta bëjnë kurrë e kanë bërë femrat.
Skuadra e Vllaznisë për Femra ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Kampionëve pasi mundi në Shkodër ekipin ukrainas Vorskla-Kharkiv.
Kjo fitore i çon ata për herë të parë në fazën e grupeve të këtij kompeticioni prestigjoz dhe është pa diskutim një ditë për t’u shënuar në kalendar për futbollin shqiptar.
E aq më historike ishte shorti ku u tërhoq Vllaznia, në një grup me gjigantët evropianë të futbollit, Real Madridit, PSG-së dhe Chelseat, që nuk kishte si të shkon ndryshe përpos me një gol nderi të shënuar dhe gjashtë disfatave.
Dueli dy skuadrave shqiptare
Një histori e këndshme dhe shembullore e suksesit ndërkombëtar ishte skuadra e qytezës së Suharekës nga Kosova, ajo e Ballkanit.
Ballkani ka lënë gjurmë duke shkruar historinë si skuadra e parë shqiptare që arrin të kualifikohet në grupet e Ligës së Konferencës, aventurë kjo që nuk zgjati më shumë se kaq, shkaku i ballafaqimit me skuadra të rangut të lartë si Sivaspor, Kluzh dhe Slavia Praga.
Rrugëtimi i tyre deri këtu erdhi pas ndeshjeve vendimtare në ballafaqim të drejtëpërdrejtë me skuadrën tjetër shqiptare, atë të Shkupit nga Maqedonia e Veriut.
Nga dy ndeshjet e luajtura në Shkup dhe Prishtinë, Ballkani arriti të triumfojë ndaj Shkupit dhe të prekë majat e suksesit.
“Gejmerët” shqiptarë eliminuan kampionët e botës
E nisur si një lojë qejfi nëpër internet kafene, e për t’u shndërruar në hobi e pasion, ndërsa sot të përfaqësojnë Kosovën në turnetë më të mëdha botërore.
Bad News Eagles ishin kryefjala e Kosovës mbrëmjen e 6 nëntorit të vitit 2022.
Djelmoshat nga Kosova kaluan një formë fantastike në turneun më të madh në botë të video lojës së famshme CS:GO në Rio de Janeiro të Brazilit.
“Gejmerët” shqiptarë arritën të bëjnë mrekullinë duke eliminuar skuadrën kampione në fuqi dhe favorite të këtij sporti, Faze.
Ky moment i tyre u përcoll me emocione dhe komplimente të shumta nga të gjithë shqiptarët e rajonit.
Megjithatë, aventura e tyre fatkeqësisht mbaroi në raundin e ardhshëm duke u eliminuar nga skuadra e NAVI-t.
Ekipi shqiptar Bad News Eagles për momentin renditet në vendin e 24–të në ranglistën botërore të CS:GO.
Kosovare Asllani e fiton çmimin “Këmba e Artë”
Kosovare Asllani ka fituar çmimin “Këmba e Artë” për futbolliste.
Këtë çmim futbollistja shqiptare e cila mbron ngjyrat e skuadrës italiane, Milanit, e ka pranuar në ceremoninë e organizuar në Monako nga një kompani menaxhimi të futbollit “World Champions Club”.
Është hera e parë që ky çmim ndahet edhe për futbolliste, gjegjësisht për golashënuesit më të mirë aktivë mbi moshën 28-vjeçare.
Ajo konsiderohet si futbollistja më e mirë shqiptare e dekadës së fundit, ndërsa ka luajtur edhe në klubet e mëdha evropiane si Real Madrid, Manchester City dhe Paris Saint-Germain.
Atletja shqiptare Luiza Gega shpallet kampione e Evropës
Atletja shqiptare Luiza Gega është shpallur kampione e Evropës në 3.000 metra me pengesa, në garën në Kampionatin Evropian të Atletikës në Gjermani.
Sipas Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSh), Gega dominoi garën dhe arriti të fitonte me kohën 9:11:31, duke marrë medaljen e artë dhe duke e “ngjitur Shqipërinë në majën e Evropës”.
Gega ka përvojë ndërkombëtare, e cila gjithashtu u rendit e pesta në Botëror, si dhe u shpall kampione Mesdheu, duke vendosur edhe rekord në “Oran 2022”.
Erkan Qerimaj dhe Evangjeli Veli kampion evropian të mundjes
Kampionati Evropian i Peshëngritjes në TIRANË solli medalje të artë për dy kampionët shqiptarë, Erkand Qerimaj dhe Evangjeli Veli.
Peshëngritësi shkodran Erkand Qerimaj është shpallur kampion i Europës në stilin e shkëputjes, pasi arriti të ngrejë 150 kilogramë, më shumë se kushdo tjetër. Edhe konkurrentët e tjerë që arritën të ngrënë 150 kg e bënë këtë zgjedhje pas Erkandit dhe për rrjedhojë fiton sportisti kuqezi.
Nga ana tjetër peshëngritësja shqiptare, Evangjeli Veli, u shpall kampione e Europës deri në peshën 55 kg për femra, hera e parë që ndodh për një sportiste shqiptare.
Zelimkhan Abakarov shpallet kampion bote për Shqipërinë në mundje
Zelimkhan Abakarov, rusi nga Çeçenia që përfaqëson Shqipërinë në garat ndërkombëtare të mundjes, shpallet kampion bote në kategorinë deri në 57 kg.
Medaljen e artë Akbarov e fitoi në kampionatin botëror të mundjes i cili u zhvillua në Beograd të Serbisë, edhe atë në finalen e madhe duke e mundur amerikanin Thomas Patrick Gilman dhe valëvitur flamurin kuq e zi pas fitores historike.
E jashtëzakonshme, sepse për herë të parë në mundje një sportist shpallet kampion bote për Shqipërinë.
Xhudistja Distria Krasniqi me medalje të artë në “Oran 2022”
Xhudistja kosovare Distria Krasniqi i ka siguruar medaljen e parë Kosovës në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022” në Algjeri.
Xhudistja Distria Krasniqi, e cila garoi në kategorinë deri 52 kilogramë, mundi me Ipon në finale kroaten Ana Viktorija Puljiz.
Kampionja olimpike e “Tokyo 2020” në xhudo, Distria Krasniqi, medaljen e artë mesdhetare e kishte fituar edhe para katër vjetësh në Tarragona të Spanjës. Ajo ka medalje të artë olimpike, medalje të bronztë botërore, katër medalje evropiane e shumë medalje të tjera në garat e xhudos.