Në Shqipëri është prezantuar Projekti i Kampusit të Akademisë së Futbollit të Manchester Cityt që do të ndërtohet në Durrës, si dhe janë ekspozuar trofetë e skuadrës Manchester City.
Në aktivitetin e organizuar në Qendrën për Hapje dhe Dialog të Kryeministrisë së Shqipërisë (COD) ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministra, përfaqësues të klubit Manchester City, të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, sportistë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama u shpreh se trofetë janë pjesë e një turi që Manchester City organizon për këto trofe nëpër botë.
"Mund ta merrni me mend fare lehtë sesa shumë kërkesa ka Manchester City për të shtrirë rrjetin e akademive të veta të futbollit dhe, nga ana tjetër, më vjen shumë mirë që ne arritëm, jo vetëm të kemi një kontratë për ta ndërtuar këtu këtë akademi, por edhe të kemi një ekskluzivitet për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor me një kusht të kontratës që në rast se në të ardhmen do të hapet një stacion tjetër i Manchester City, bashkia e Durrësit do të jetë partnere edhe atje", u shpreh Rama.
Ai theksoi se kanë hyrë në diskutime për të sjellë pranë akademisë së Manchester Cityt, edhe akademinë e Rafael Nadal, akademi tenisi.
Ministrja e Arsimit dhe e Sportit e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, e ka konsideruar hapjen e kësaj akademie në Durrës një mundësi të artë për të rinjtë shqiptarë dhe shkollë model për rajonin.
“Fondacioni Dyrrah City Football Academy, i mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, tashmë ka lidhur marrëveshjen me Manchester City për të mundësuar hapjen e Shkollës së Futbollit dhe ne presim ta hapim në muajin shtator. Ky kompleks modern sportiv, jam e bindur që do të jetë një krenari jo vetëm për vendin tonë, por edhe për rajonin”, tha Manastirliu.
Sipas autoriteteve shqiptare, akademia do të përdorë metodologjinë e stërvitjes së klubit Manchester City për të ofruar edukim futbolli të klasit botëror.
Ndërkohë, nga dita e sotme admiruesit e futbollit në Shqipëri do të kenë mundësi të shohin nga afër trofetë e fituara nga Manchester City gjatë sezonit futbollistik 2022-2023, e quajtur parada “Treble Tour”.
Trofetë e fituar nga Manchester City do të ekspozohen për dy ditë me radhë fillimisht në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) dhe më pas “Treble Tour” do të vazhdojë në Sheshin “Italia” dhe në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.