Xavi Hernandez, i cili ka qenë trajner i skuadrës spanjolle të Barcelonës në tri sezonet e fundit, ka vendosur të qëndrojë në këtë detyrë edhe për një vit, siç parashikohet në kontratën e tij.
Xavi dhe kryetari i klubit të Barcelonës sot mbajtën një konferencë për media, pasi mbrëmë zhvilluan një takim të gjatë në shtëpinë e presidentit Laporta.
"Jam i lumtur t'ju njoftoj se Xavi do të ngelet si trajner i Barcelonës. Ai në deklaratat e tij të kaluara kishte thënë se kishte në plan të largohej, por në takimin tonë të djeshëm, ai më përcolli emocionet e tij për ekipin dhe projektin tonë. Një lajm i shkëlqyeshëm që Xavi do të vazhdojë", tha Laporta.
Ai gjithashtu tha se ata janë në rrugën e duhur për të përmirësuar ekonominë e klubit dhe se planifikojnë të kthehen në stadiumin e rikonstruktuar Nou Camp në dhjetor.
Xavi, nga ana tjetër, theksoi se mendimi i tij për "largim në fund të sezonit" të cilin e shpalli në mesin e këtij sezon ishte i saktë në atë kohë sepse besonte se duhej një ndryshim në skuadër, por pas mbështetjes që mori nga kryetari i klubit Laporta, drejtori sportiv Deco dhe skuadra, tani mendon të kundërtën.
"Kam energji për të vazhduar", tha Xavi duke shtuar se bashkë me të do të qëndrojnë edhe të gjithë ndihmësit.
Duke vendosur të respektojë kontratën e tij, e cila normalisht do të skadonte në qershor të vitit 2025, Xavi theksoi se kjo "nuk ka të bëjë me paratë apo egon".