Xhudistja e Kosovës Distria Kranisiqi më e mira në botë.   / Foto: Kosova Judo Federation (Facebook)

Distria Krasniqi është tashmë xhudistja më e mirë në botë për kategorinë deri në 52 kilogramë.

Kështu tregon renditja më e re e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, sipas së cilës xhudistja kosovare ka mbledhur 7.275 pikë duke lënë prapa xhudisten britanike, Chelsie Giles, e cila ka marrë 7.010 pikë dhe japonezen Uta Abe, e cila i ka 6.800 pikë.

Krasniqi është medaliste Olimpikë nga Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, por ka edhe një numër të madh medaljesh evropiane e botërore në emrin e saj.

Në krye të renditjes më herët ishin edhe Majlinda Kelmendi në kategorinë deri 52 kg dhe Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kg.

Në renditjen e re, Nora ka përparuar për dy pozita dhe tani është e gjashta në 57 kg.

Akil Gjakova është i 50-ti në kategorinë deri 73 kg, pas përparimit për tri pozita. Akilin e pret garë jo e lehtë për ta siguruar normën olimpike. Ndërkohë, Laura Fazliu ka rënë për dy pozita dhe tani renditet e 13-ta në kategorinë deri 63 kilogramë.

Loriana Kuka ka humbur një pozitë dhe tani është e 23-ta në kategorinë deri 73 kilogramë.

Erza Muminoviq renditet e 68-ta në kategorinë deri 52 kg, pasi avancoi për dhjetë vende. Flaka Roxha lëvizi një pozitë prapa dhe tani është e 35-ta në 57 kg. Ranglista shërben për të siguruar normën olimpike e po ashtu për të caktuar bartësit nëpër gara.

TRT Balkan / agjencitë