Bashkimi Evropian i ndau Serbisë donacion prej 8.5 milionë euro për ndërtimin e sekcionit të katërt të korridorit elektroenergjetik transballkanik. Marrëveshja për donacion u firmos në Qeverinë e Serbisë nga ministrat kompetentë dhe ambasadorët e BE-së dhe Gjermanisë.
Sipas marrëveshjes, Serbia duhet të ndërtojë infrastrukturën energjetike deri në kufijtë me Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën.
Ministrja e Energjetikës në Serbi, Dubravka Xhedoviq, tha se ndërtimi i seksionit të katërt të korridorit transballkanit për përçimin e energjisë elektrike është edhe një hap drejt ngritjes së stabilitetit dhe sigurisë energjetike në furnizimin e qytetarëve dhe kompanive të Serbisë.
Ajo vlerësoi se korridori transballkanik e kthen Serbinë në hartën e korridoreve energjetike të Evropës, si vend tranzit nga Rumania përmes Malit të Zi deri në Itali, duke mundësuar më shumë shkëmbim të energjisë elektrike dhe siguri në furnizim.
Në kuadër të projektit do të ndërtohet largpërçues 83 kilometra, që duhet të përfundojnë deri në vitin 2027.