Tre të rinj nga Beogradi dhe Novi Sadi u arrestuan nga policia serbe, nën akuzën për kryerjen e veprës penale thirrje për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues.
Zyrtarët njoftojnë se Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Agjencinë për Siguri dhe Informacion dhe prokuroritë kompetente në Beograd dhe Novi Sad, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit, arrestuan D. K. (1988), D. Z. (1971) dhe D. B. (1987), ndërsa ky i fundit akuzohet edhe për veprën penale të prodhimit, mbajtjes dhe trafikimit pa leje të armëve dhe lëndëve plasëse.
Tre të arrestuarit akuzohen se u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mblidhen në masë të madhe në Beograd dhe të rrëzojnë me dhunë Qeverinë dhe Presidentin e Republikës së Serbisë.
Gjatë bastisjeve u gjetën armë dhe municione, ndërsa siç njofton Ministria e Brendshme, të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë dhe me kallëzim penal do të dërgohen në prokuroritë kompetente.