Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, filloi konsultimet me përfaqësuesit e partive politike për formimin e qeverisë së re në Serbi.
I pari me të cilin u takua Vuçiq ishte deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, nga lista zgjedhore “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”.
Kamberi pas takimit ka njoftuar se ia ka bërë me dije Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se qasja e shtetit serb ndaj shqiptarëve duhet të ndryshojë.
“Presidentit Vuçiq i prezentuam kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës të bazuara në Planin 7 pikësh, ripërsëritëm qëndrimin tonë të përbashkët se nuk jemi të interesuar për asnjë pozitë në nivel qëndror, por që konsiderojmë se avancimi i të drejtave të shqiptarëve është interesi ynë i vetëm dhe ai duhet të fillojë nga institucionet shtetërore të nivelit lokal e rajonal. Qasja e shtetit ndaj shqiptarëve duhet të ndryshojë”, thekson Kamberi, derisa ka numëruar edhe kërkesat shtesë që i janë bërë gjatë takimit presidentit Vuçiq.
Në zgjedhjet parlamentare, krahinore dhe zgjedhjet për këshilltarë në 65 vetëqeverisje lokale, të cilat u mbajtën në muajin dhjetor në Serbi, fitues doli Lista zgjedhore "Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet".