Dhjetë gjëra që turistët e ardhshëm të hapësirës duhet t’i dinë     Foto: TRT Balkan

Me dekada, hapësira dhe yjet kanë qenë një privilegj për astronautët profesionistë të cilët janë trajnuar dhe janë përzgjedhur nga agjencitë hapësinore të vendeve më të mëdha.

Megjithatë, ëndrra e mijëra njerëzve për t'u larguar nga orbita e Tokës dhe për të ndjerë yjet nga afër në ditët e sotme nuk është aq larg. Me demokratizimin e eksplorimit të hapësirës hapet edhe mundësia e turizmit hapësinor, i cili, sinqerisht, nuk do të jetë aspak kënaqësi e lirë.

Kompanitë si ‘Blue Origin’ ose ‘Virgin Galactic’ kanë zhvilluar anije kozmike të cilat praktikisht e bëjnë të mundur largimin nga Toka dhe udhëtimin në hapësirë, me kusht që xhepi juaj të jetë mjaftueshëm i thellë për këtë.

Besohet se demokratizimi i vërtetë i turizmit hapësinor do të ndodhë në këtë dekadë.
Astronautët e NASA-s ndajnë një sërë këshillash që duhet t’i dini para se të mendoni nëse do të jeni turist hapësinor.

Udhëtim i shkurtër dhe i ëmbël

Largimi nga orbita e Tokës me anijet kozmike të kompanive ‘Virgin Galactic’ apo ‘Blue Origin’ do të jetë i shpejtë dhe i shkurtër dhe me më shumë gjasë si një udhëtim nga poshtë lart sesa një fluturim orbital rreth planetit. Ajo që turistët duhet të dinë është se nuk duhet të shqetësohen fare për anijen kozmike, sepse ka “dikush që mendon për të”.

Trajnim i shkurtër

Trajnimi që do të duhet të kalojnë turistët e hapësirës është i “veçuar” me atë që kalojnë astronautët. Supozohet se trajnimet e tilla do të zgjasin disa ditë. Ana e mirë është se ndoshta shumica e njerëzve do të mund të kalojnë trajnimin, ndërsa ana e keqe është se kandidatët nuk do ta kenë besimin që do ta kishin nëse do ta kalonin të gjithë trajnimin.

Përgatitje psikike

Përgatitjet psikike të kandidatëve do të jenë vendimtare, sepse ndryshe nga udhëtimet ajrore, ky nuk është një udhëtim kaq “i butë dhe i qetë”. Kjo është arsyeja pse stabiliteti mendor është i nevojshëm.

Nuk është si në film

Shpejtësia dhe “ngjitja” në ndenjësen gjatë ngritjes dhe uljes është e madhe, por gjithsesi astronautët thonë se nuk është aspak si ajo që shihet shpesh në filma, ku si pasojë shpesh u ndryshohet edhe fytyra e atyre që udhëtojnë në hapësirë si rezultat i shpejtësisë. Nëse mund të duroni atraksionet pak më serioze në parqet tematike (rrëshqitëse, karuseli dhe të ngjashme), atëherë do ta përballoni lehtësisht këtë sfidë.

Provoni zhytjen me skafandër

Rekomandohet që turistët e ardhshëm të hapësirës të provojnë zhytjen me skafandër përpara se të nisin një aventurë të tillë jashtëtokësore. Edhe pse noti nën ujë nuk është aspak i njëjtë me notimin në hapësirë, megjithatë është mirë të ushtroheni dhe të ndjeni mungesën e peshës. Në fakt, NASA ka një kopje të Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor në një pishinë të madhe ku astronautët stërviten.

Disa minuta në gjendje të mungesës së peshës

Në këto aventura të shkurtra hapësinore, turistët do të kenë mundësi vetëm për disa minuta të ndjejnë mungesën e peshës, ndaj është e nevojshme të planifikoni mirë kohën nëse do të bëni një foto familjare ose një foto interesante. Nuk rekomandohet të bëni foto ‘selfie’, sepse ajo do të jetë sfidë në një situatë të tillë. Duke marrë parasysh koston e lartë të këtyre udhëtimeve, sigurohuni që operatorët të kujdesen që të keni mjaft kujtime.

Edhe larja e dhëmbëve do të jetë sfidë

Në rast se bëhet fjalë për një udhëtim turistik disaditor, do të duhet të jeni të gatshëm për të kryer të gjitha detyrat në një gjendje të mungesës së peshës, ndaj gjëra të tilla si larja e dhëmbëve dhe të ngjashme do të jenë një sfidë e vërtetë. A keni menduar ndonjëherë se si ta përdorni tualetin në hapësirë?

Pa shëtitje në hapësirë

Vështirë se shëtitjet në hapësirë do të jenë në dispozicion të turistëve hapësinor në një të ardhme të parashikueshme, ndaj harroni situatat që kishte në filmin “Gravity”. Megjithatë, ka plane të tilla. Kështu që në vitin 2023 është planifikuar një turne hapësinor, në të cilin njëri prej turistëve do të mund të kryejë një shëtitje të pjesshme në hapësirë. Kjo sigurisht kërkon trajnim të gjatë dhe planifikim afatgjatë.

Ulja?

Ka dy mënyra të uljes në fluturimet e tilla. Njëra është me një fluturim përmes anijes kozmike dhe tjetra është në formën e një kapsule të ngjashme me atë të Apollonit. Anija kozmike ulet në mënyrë të ngjashme si një aeroplan, ndërsa kapsula zakonisht ulet me ndihmën e parashutave në ujë. Ndjenja kur hapet parashuta mund të jetë e pakëndshme dhe sigurisht që momenti kur kapsula ndeshet me ujin është shumë i fortë krahasuar me uljen e qetë.

Ja vlen për paratë

Tani për tani një fluturim në orbitë pritet të kushtojnë disa qindra mijëra dollarë, ndërsa për një qëndrim më të gjatë “pak më lart” disa milionë dollarë. Megjithatë, astronautët thonë se investimi ja vlen.

TRT Balkan