Në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor mund të arrihet përmes 14 aeroporteve ndërkombëtare që ofrojnë fluturime direkte në disa destinacione evropiane. TRT Balkan analizoi se sa aeroporte ka secili prej vendeve të rajonit dhe nëse ekzistojnë plane për ndërtimin e aeroporteve të reja. Qeveritë në rajon po shfaqin ambicie më të mëdha për të pushtuar qiejt, por përveç projekteve në Shqipëri, të tjerat janë në fazat fillestare të planifikimit apo projeksioneve.
Planet për aeroportin më të madh në Shqipëri
Vetëm pesë aeroporte ndërkombëtare po ndërtohen në Evropë në vitet e fundit të shoqëruara nga një krizë e rëndë në industrinë e aviacionit. Kriza është shkaktuar kryesisht nga ngërçi si rezultat i pandemisë COVID-19. Një nga këto pesë projekte është aeroporti i ri ndërkombëtar i Vlorës, i cili do të jetë më i madhi në Shqipëri, me synimin kryesor mbështetjen e turizmit masiv.
Projekti për aeroportin e ri në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë duhet të mundësojë një rritje të numrit të pasagjerëve që vizitojnë vendet e njohura turistike. Marrëveshja prej 104 milionë eurosh u nënshkrua në prill të vitit 2021 dhe do të ndërtohet nga një konsorcium kosovaro-turk.
Shqipëria planifikon të ndërtojë gjithashtu një aeroport të ri në Sarandë, një qytet me resorte të shumta, i cili do të jetë i projektuar për trafikun ajror lokal dhe do të funksionojë sezonalisht gjatë periudhës së verës. Projekti është vlerësuar të kushtojë 37 milionë euro. Shqipëria ka aktualisht dy aeroporte ndërkombëtare – në Tiranë dhe Kukës. Më i ngarkuari deri tani është Aeroporti Ndërkombëtar Nënë Tereza në Tiranë.
Fluturime përmes fqinjëve
Kosova aktualisht mbështetet në aeroportin e vetëm ndërkombëtar Adem Jashari në Prishtinë. Në vend ka aeroporte më të vogla për qëllime sportive dhe rekreative, por tani për tani nuk ka ambicie për ndërtimin e një aeroporti të ri ndërkombëtar apo rajonal.
Arsyeja për këtë kërkohet edhe në hapjen e aeroportit ndërkombëtar në Kukës, në veri të Shqipërisë, i cili përdoret nga një numër i madh i qytetarëve nga Kosova. Me infrastrukturë rrugore dhe lidhje më të mirë, pritet edhe rritje e përdoruesve nga Maqedonia e Veriut.
Investime në infrastrukturë në vend të aerportit
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përveç aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, janë planifikuar disa projekte që mund të materializohen së shpejti.
Autoritetet maqedonase janë të kënaqura me rindërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit. Që nga dhënia e koncesionit për TAV-in turk, ky aeroport ka arritur rezultate fantastike me një numër të shtuar të pasagjerëve, linja të reja direkte dhe një numër të madh fluturimesh.
Planet për ndërtimin e aeroportit të mallrave në Shtip u anuluan për shkak të konfigurimit të dobët të terrenit dhe erërave të pavolitshme, ndërsa fondet e planifikuara u riorientuan nga investitori turk për qëllime të tjera infrastrukturore në mbarë vendin. Në Maqedoninë e Veriut funksionojnë Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe aeroporti “Shën Apostull Pali” në Ohër.
Bosnjë dhe Hercegovina me rekord prej pesë aeroportesh ndërkombëtare?
Nga republikat e tjera ish-jugosllave, ambicioze është edhe Bosnjë dhe Hercegovina, ku tashmë funksionojnë katër aeroporte ndërkombëtare, në Sarajevë, Mostar, Banja Llukë dhe Tuzllë.
Aeroporti i pestë ndërkombëtar është planifikuar të funksionojë në Bihaq, por investimi do të varet nga fizibiliteti i projektit. Në fazën e parë, me vlerë mbi 5 milionë euro, janë kryer testet në pistën e testimit për ulje-ngritje.
Konstruksioni financiar i projektit nuk ka përfunduar dhe autoritetet bashkiake dhe shtetërore nuk kanë marrë ende një vendim final për përfundimin e ndërtimit.
Plane fluturimi drejt të gjitha qendrave kryesore në Serbi?
Serbia ka vetëm plane fillestare për të ndërtuar dy aeroporte të reja me kapacitet të plotë. Njëri do të jetë në Dobanovci afër Beogradit. I dyti do të shërbejë si një aeroport ndërkombëtar me një plan për t’u ndërtuar 15 kilometra në juglindje të Novi Sadit.
Kjo parashikohet në draft-planin hapësinor të Ministrisë së Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, i cili është i vlefshëm deri në vitin 2035.
Paralajmërime për aeroporte të reja të mundshme me karakter lokal ka edhe për Zllatiborin, Jagodinën, Krushevcin dhe Uzhicën, për të mbështetur turizmin dhe zhvillimin rajonal. Aktualisht ekzistojnë tri aeroporte ndërkombëtare në Serbi – në Beograd, Nish dhe Kraljevë.
Malazezët shpresojnë për “të tretin, të vërtetin”
Në Mal të Zi po paralajmërohet ndërtimi i një aeroporti të ri, i cili do të jetë turistik, por në të do të zbresin edhe avionë të vegjël sportivë dhe privatë. Ideja është prezantuar nga Komuna e Ulqinit, me një investim të mundshëm nga një konsorcium amerikano-italian.
Qeveria e Malit të Zi ka bërë përpjekje që koncesionari i ardhshëm që do të menaxhojë aeroportet ndërkombëtare në Podgoricë dhe Tivat të marrë përsipër edhe aeroportin në Beranë, i cili do të ketë nevojë për një investim serioz dhe ndërtimin e objekteve praktikisht krejtësisht të reja. Në Mal të Zi aktualisht operojnë aeroportet ndërkombëtare në Podgoricë dhe Tivat.