Kompania turke e mbrojtjes, Baykar, po planifikon të përfundojë ndërtimin e fabrikës së dytë prodhuese në Ukrainë brenda dy viteve, tha të enjten shefi ekzekutiv i saj, pasi kompania u bë shumë e njohur për suksesin e dronëve të tyre në pengimin e forcave ruse.
Dronët që Baykar i dërgoi Ukrainës ishin shumë të rëndësishëm për mbrojtjen e Ukrainës kundër sistemeve të blinduara dhe anti-ajrore ruse në javët e para të invazionit rus.
Droni i tyre Bayraktar TB2 fitoi aq shumë popullaritet në publik saqë ukrainasit i thurrën këngë, ndërsa disa aleatë nisën fushata të paprecedenta për grumbullimin e parave me qëllim blerjen e më shumë dronëve.
Si pjesë e një marrëveshjeje mes Türkiyes dhe Ukrainës, e firmosur pak para invazionit rus të 24 shkurtit, Baykar u pajtua që të ndërtojë fabrikën e dytë prodhuese në Ukrainë.
Drejtori Haluk Bayraktar tha për agjencinë e lajmeve Reuters të enjten se planet po shkojnë përpara pavarësisht disa pengesave si pasojë e invazionit rus.
“Tashmë kemi dizajn arkitekturor. Faza e dizajnimit detal tashmë ka përfunduar. Do të vazhdojmë me ndërtimin, brenda dy viteve do të donim ta përfundonim”, tha shefi ekzekutiv i kompanisë Baykar, në margjinat e ekspozitës së mbrojtjes SAHA në Istanbul.
Ukraina figuron dukshëm në zinxhirin e furnizimit të Baykar-it, veçanërisht me dronin e ri për ngritje të peshave të rënda Akinci dhe avionin luftarak pa pilot Kizilelma, ose Molla e Artë, aktualisht në zhvillim. Të dy përdorin motorë ukrainas nga Motor Sich dhe nga Ivchenko-Progress.
Zgjerohen porositë
Pjesëmarrja e dronit Bayraktar TB2 ka qenë faktor i madh që ka ndikuar konfliktet nga Siria në Azerbejxhan dhe Ukrainë, duke e vendos kompaninë Baykar në qendër të vëmendjes botërore dhe duke e transformuar atë në prodhues dhe eksportues të madh.
Droni TB2 tashmë i dëshmuar në betejë, po shitet në 24 vende, përfshirë Poloninë si anëtare e NATO-s, ndërkohë që kompana firmosi marrëveshje me 4 vende për eksportimin e dronit shumë më të madh Akinci.
Derisa TB2 mund të ngrejë pesha deri 150 kg në raketa ose pajisje, Akinci mund të fluturojë shumë më lart dhe të ngrejë 10 herë më shumë peshë. Ky dron iu dorëzua fillimisht ushtrisë turke vitin e kaluar.
Libri i porosive pritet të regjistrojë rreth 1 miliard dollarë të ardhura këtë vit, tha Bayraktar. Kjo është rreth 50% më shumë se sa vitin e kaluar kur kishte 650 milionë dollarë të ardhura, ndërsa në vitin 2023 pritet rritje tjetër për 50%.
Edhe pse Baykar nuk është prodhuesi i vetëm i dronëve në Türkiye, droni Bayraktar TB2 ka performuar aq mirë në konflikt saqë tashmë kryeson shtytjen e eksportit global të mbrojtjes për Türkiyen. Sipas të dhënave nga Asambleja e Eksportuesve Turq, vitin e kaluar kompania përbënte 1/5 e eksportit të përgjithshëm të mbrojtjes së Türkiyes në vlerë prej 3.2 miliardë dollarëve.
Kompania do të investojë të ardhurat për zgjerimin e linjave të prodhimit, tha Bayraktar.
“Kapacitetet tona prodhuese me TB2 mund të prodhojnë 20 në muaj. Për vitin 2023 targeti ynë do të jetë të prodhojmë minimum 30 copë në muaj”, tha ai.
Teknologji hapësinore
Bayraktar thotë se do të përparojë edhe studimi dhe zhvillimi i dronit të shpejtë luftarak Kizilelma, për të cilin analistët thonë se përfaqëson një zgjerim të konsiderueshëm të aftësive për dronët e deritanishëm të ngadalshëm zbulues dhe luftarakë.
Kizielma do të jetë në gjendje të ngrihet dhe të ulet në aeroplanmbajtëse me pistë të shkurtër, me një fluturim të parë që pritet në muajt e ardhshëm.
TB3, version i TB2, por i aftë të veprojë në pista të shkurtra, do të përfundojë fazën e testimit deri në fund të vitit 2023, tha Bayraktar.
Kompania po zgjeron fokusin edhe drejt teknologjive hapësinore për të plotësuar sistemin e tyre të pajisjeve pa pilot.
“Tani po investojmë në teknologjitë hapësinore. Jo në segmentet tashmë të etabluara, por në sfera të reja ku mund të sillen zgjidhje inovative”, tha Bayraktar.
Bayraktar gjithashtu po investon në disa prej kompanive në zinxhirin e saj të furnizimit.
“Ne investojmë në kompani që sjellin pajisje me vlerë të shtuar në sistemet tona, në sferat e komunikimeve, optikës, arkitekturës së rrjetit”, tha Bayraktar.
28 Tet 2022
Bayraktar do të prodhohet edhe në Ukrainë, kompania turke zgjeron shitjet
Droni TB2 tashmë i dëshmuar në betejë, po shitet në 24 vende, përfshirë Poloninë si anëtare e NATO-s, ndërsa kompania po investon në teknologji të reja.
Reuters
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Erdoğan: Energjia, transporti dhe komunikimi, lokomotiva të zhvillimit
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë Forumit Energjetik në Istanbul theksoi se sigurimi i energjisë së mjaftueshme, cilësore dhe të pastër me çmime të përballueshme dhe pa ndërprerje, është me rëndësi kritike për të gjitha vendet.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore