Çavuşoğlu: Reforma gjithpërfshirëse në OKB dhe institucione të tjera.     /Foto: AA

Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se, përveç institucioneve të Kombeve të Bashkuara (OKB) si Këshilli i Sigurimit, Organizata Botërore e Shëndetësisë edhe Organizata Botërore e Tregtisë dhe institucionet ndërkombëtare financiare kanë nevojë për një reformë gjithëpërfshirëse.

Çavuşoğlu mbajti një fjalim në Mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të G20-shit në kryeqytetin e Indisë, New Delhi.

Në fjalën e tij në seancën për përforcimin e multilateralizmit dhe nevojën për reforma, sigurinë ushqimore dhe energjetike, bashkëpunimin për zhvillim, kryediplomati turk theksoi se qasja e vendit të tij është se "ka nevojë për përforcimin e multilateralizmit dhe për reforma".

"Jemi në epokën e transformimeve të shpejta. Rolin e sistemit ndërkombëtar dhe organizatave ndërkombëtare duhet t'i shqyrtojmë në mënyrë kritike", u shpreh Çavuşoğlu duke potencuar se multilateralizmi efektiv dhe sistemi i bazuar në rregulla janë dy koncepte thelbësore.

"Një trup është i shëndetshëm aq sa është zemra e tij, OKB-ja është zemra e sistemit tonë ndërkombëtar", tha ai, ndërsa tërhoqi vëmendjen se pa reforma në OKB nuk do të ishte e mjaftueshme ndonjë përpjekje multilaterale.

Duke theksuar se, përveç institucioneve të OKB-së si Këshilli i Sigurimit, Organizata Botërore e Shëndetësisë edhe Organizata Botërore e Tregtisë dhe institucionet ndërkombëtare financiare kanë nevojë për një reformë gjithëpërfshirëse, Çavuşoğlu deklaroi: "Përpjekjet për reforma duhet të fokusohen për një të mirë më të madhe, jo sipas pritjeve tona individuale".

"Për shembull, është kusht përforcimi i përfaqësimit rajonal në Këshillin e Sigurimit. Por, rritja e numrit të anëtarëve të përhershëm me të drejtë vetoje do të përkeqësojë më tej joefektivitetin aktual të Këshillit të Sigurimit. Thelbi i thirrjes sonë është ky: 'Bota është më e madhe se pesë'", tha kryediplomati turk.

Reforma e sistemit ndërkombëtar, sipas tij, do të ndihmojë në trajtimin e mungesën e zhvillimit, ndërsa zbatimi i "Agjendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030" dhe mbështetja e vendeve më pak të zhvilluar është i rëndësishëm.

"Kostoja e parashikuar e Agjendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030 është rreth 4 trilionë dollarë. Ky është një boshllëk që duhet ta mbushim", tha ai duke shtuar se Türkiye bën atë që mundet në lidhje me këtë.

Ministri Çavuşoğlu potencoi se lufta në Ukrainë ngriti çështjen e sigurisë globale të energjisë dhe të ushqimit dhe se Türkiye mori masa kur u fokusua në sigurinë ushqimore.

Ai tha se çdo përpjekje zhvillimore është e paimagjinueshme pa sigurinë ushqimore dhe energjitike.

"Marrëveshja e Drithit të Istanbulit që kemi ndërmjetësuar me OKB-në, ndihmon çdo amvisëri në botë. Përpiqemi shumë që të zgjasim këtë. Ne nuk jemi një prodhues i madh i energjisë, por kontribuojmë në mënyrë aktive në sigurinë energjetike të rajonit tonë. Në të gjitha këto çështje, pritshmëritë nga G20 janë të larta. Ne duhet të kemi një platformë të fortë dhe të tregojmë lidership më të fortë", theksoi Çavuşoğlu.

TRT Balkan / agjencitë