Zëdhënësi i AK Partisë Omer Çelik është shprehur se dhuna izraelite kundër palestinezëve “është një nga masakrat më të mëdha të planifikuara të historisë moderne”.
Deklaratat e tij erdhën në një konferencë për shtyp të mërkurën, një ditë pasi mbi 500 njerëz u vranë në një sulm ajror izraelit në Spitalin Baptist Al Ahli në Gaza.
“Izraeli ua mohon të drejtën palestinezëve për të jetuar në tokën e tyre dhe i bombardon ata. Izraeli u tha këtyre njerëzve (palestinezëve) që të evakuonin shtëpitë e tyre dhe të zhvendoseshin në jug dhe më pas i bombardoi ndërsa po iknin”, tha Çelik.
“Përfundimisht, njerëzit u strehuan në spital, duke menduar se ndoshta Izraeli nuk do të shkonte aq larg, por Izraeli gjithashtu i bombardoi ata ndërsa ata ishin në spital”, shtoi ai.
“Kjo është një nga mizoritë më të mëdha të dëshmuara në historinë e njerëzimit”, theksoi Çelik.
Zëdhënësi i AK Partisë përsëriti se Türkiye dënon këtë “mizori çnjerëzore në termat më të fortë të mundshëm”.
Çelik shtoi gjithashtu se Türkiye solidarizohet me fëmijët, gratë, të moshuarit dhe civilët e shtypur në Palestinë.
“Vuajtja e Palestinës është vuajtja jonë dhe kjo humbje është një humbje për të gjithë njerëzimin.”
Brutaliteti i paprecedentë i Izraelit
Türkiye ka kritikuar Izraelin për sulmin izraelit në Spitalin Baptist Al Ahli në Gaza të Paelstine, që vrau mbi 500 njerëz.
“Goditja e një spitali ku ka gra, fëmijë dhe civilë të pafajshëm është shembulli i fundit i sulmeve të Izraelit pa vlera themelore njerëzore”, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan në një postim në X.
“I bëj thirrje gjithë njerëzimit të ndërmarrë veprime për të ndaluar brutalitetin e paprecedentë të Izraelit në Gaza”, shtoi ai.
Pamjet treguan kufoma të shpërndara nëpër mjediset e spitalit.
Mijëra palestinezë ishin në spital kur ndërtesa u bombardua.
Izraeli ka mohuar përgjegjësinë për sulmin ajror, ndërsa aktorë të shumtë ndërkombëtarë kërkuan një hetim të paanshëm për të provuar se kush është fajtori.
Sulmi ajror erdhi në ditën e 12-të të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit, me një kor ndërkombëtar në rritje të grupeve joqeveritare dhe liderëve botërorë që thonë se fushata e bombardimeve izraelite në enklavën e rrethuar – duke përfshirë objektet e kujdesit shëndetësor, rezidencat dhe shtëpitë e adhurimit – shkel të drejtën ndërkombëtare dhe mund të përbëjë krime lufte.