Në Ambasadën e Türkiyes në Shkup u organizua program me fëmijë me rastin e 23 Prillit, Ditës së Sovranitetit Kombëtar dhe Festës së Fëmijëve.
Me rastin e 23 Prillit, Ambasadori turk në Shkup, Fatih Ulusoy, u takua me nxënësit e paraleleve në gjuhën turke në vend si dhe të atyre të shkollave të Fondacionit Turk Maarif në Maqedoninë e Veriut, në ambientet e ambasadës.
Ulusoy bashkëbisedoi me nxënësit, ndërsa nxënësit shfaqën vjershat, këngët dhe vizatimet e tyre me rastin e kësaj dite. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe mësues të shkollave, përfaqësues të institucioneve turke në vend dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës.
Në kuadër të aktivitetit, ambasadori Ulusoy ia dorëzoi simbolikisht detyrën një nxënëseje dhe dëgjoi mendimet e saj.
Duke folur për mediat, Ulusoy tha se sot janë bërë së bashku me nxënësit e shkollave në të cilat mësimi ndiqet në gjuhën turke si dhe me ata të shkollave të Fondaciont Turk Maarif në vend.
Ai tha se nxënësit mbajtën fjalime shumë kuptimplote, duke shtuar: "Sot i pyetëm për domethënien e 23 Prillit, pse Ataturku ua dhuroi 23 Prillin dhe pse ndihen të lumtur kur e përkujtojnë këtë ditë. Ata dhanë shumë përgjigje të mira".
Ulusoy theksoi se do të vazhdojnë mbështetjen e tyre për përpjekjet që i japin fëmijët. "Fëmijët tanë janë e ardhmja jonë. Si ambasadë, të gjithë ishim të lumtur që organizuam një aktivitet të tillë me ta për 23 Prillin", shtoi Ulusoy.
Festa shtetërore e Sovranitetit Kombëtar dhe Ditës së Fëmijëve festohet në Türkiye më 23 prill, në ditën kur në vitin 1920 u hap Kuvendi i Madh Popullor i Türkiyes. Në këtë ditë në vitin 1924 u vendos që data e themelimit të Kuvendit të Madh Popullor të shënohet si festë kombëtare. Më 23 prill 1929, kjo festë iu është dhuruar fëmijëve. Që nga viti 1929 festohet si Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe në të njëjtën kohë si Festa e Fëmijëve.