Ambasada turke në Tiranë ka organizuar një pritje zyrtare me rastin e 101-vjetorit të themelimit të Republikës së Türkiyes, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve turke dhe shqiptare dhe personaliteteve të fushave të ndryshme.
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e një hoteli në Tiranë nën kujdesin e ambasadorit të Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, ishin të pranishëm ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Albana Koçiu, përfaqësues të institucioneve të tjera shqiptare, ambasadorë, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme.
Pas intonimit të himneve të të dy vendeve, ceremonia vazhdoi me mesazhin e presidentit të Republikës së Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, me rastin e 29 Tetorit, Ditës e Republikës së Türkiyes.
Në fjalën e tij në ceremoni, ambasadori Atay, duke i konsideruar marrëdhëniet mes dy vendeve si të veçanta, tha se viti 2024 ka qenë një vit mjaft produktiv për sa u përket rezultateve konkrete që përmbushin partneritetin strategjik, duke iu referuar edhe vizitave të fundit në Shqipëri të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, dhe ministrit turk të Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, si dhe të kryeministrit Rama në Türkiye.
"Gjatë këtyre vizitave, të dy liderët bashkëkryesuan Këshillin e Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë me pjesëmarrjen e ministrave. Ky këshill është një organ i lartë vendimmarrës që vepron nën mekanizmin tonë të partneritetit strategjik”, tha ambasadori turk.
Ambasadori Atay theksoi se synojnë të inkurajojnë të rinjtë shqiptarë që të shohin të ardhmen në vendin e tyre dhe të ndihmojnë në zbutjen e pasojave të emigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar.
Ai tha se hapja e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë nga presidenti Erdoğan dhe kryeministri Rama ishte një tjetër moment i rëndësishëm gjatë këtij viti.
"Jemi të kënaqur të shohim se kjo xhami e bukur është kthyer në simbolin e fundit të miqësisë turko-shqiptare", u shpreh Atay.
Në planin ekonomik, viti 2024 shënoi krijimin në Shqipëri të degës së Shoqatës së Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur nga Türkiye (MÜSİAD), tha Atay, duke shtuar se "Besoj se kjo degë do të na ndihmojë të arrijmë objektivin prej 2 miliardë eurosh të vendosur për vëllimin tonë të tregtisë dypalëshe".
Ambasadori Atay tha se përgëzon miqtë shqiptarë për hapjen e negociatave me BE-në për grup-kapitujt e parë.
"Ishte një moment historik. Ne dëshirojmë një përfundim të shpejtë dhe të suksesshëm të negociatave. Türkiye, gjithashtu një vend kandidat për në BE, mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në BE", tha Atay.
101-vjetori i shpalljes së Republikës së Türkiyes është shënuar me programe dhe aktivitete të shumta në Türkiye dhe jashtë saj.
Ulosoy: Türkiye është pjesë integrale e Ballkanit
Në pritjen e organizuar nga Ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, morën pjesë Presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana, Gordana Siljanovska Davkova, kryeparlamentari Afrim Gashi, kryeministri Hristijan Mickoski, shefi i shtabit të përgjithshëm gjeneralmajor Sashko Lafchiski, ministra, deputetë, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe shumë të ftuar.
Në fjalën e tij të rastit, ambasadori Ulusoy kujtoi se ky vit ishte viti i tij i parë si ambasador në Maqedoninë e Veriut, vend të cilit sipas tij Türkiye i kushton rëndësi të madhe, ndërsa shprehu kënaqësinë e tij për punën në një vend aleat, mik dhe vëlla.
Ulusoy, i cili dënoi sulmin terrorist në objektet e kompanisë së Industrive Turke të Aviacionit dhe Hapësirës (TUSAŞ) javën e kaluar, uroi mëshirën e Zotit për dëshmorët dhe shprehu ngushëllimet e tij për të afërmit e tyre dhe shërim të shpejtë për qytetarët e plagosur. Ulusoy falënderoi autoritetet e Maqedonisë së Veriut për mesazhet e tyre të solidaritetit dhe ngushëllimet pas sulmit terrorist.
Duke theksuar se Ballkani është ndër rajonet të cilave Türkiye i kushton rëndësi të madhe në fushën e politikës së jashtme, Ulusoy tha se “Türkiye është pjesë integrale e Ballkanit”.
Ulusoy më tej vuri në dukje se kanë mbështetur dhe do të vazhdojnë ta mbështesin vendin mik Maqedoninë e Veriut, me të cilin kanë marrëdhënie të ngushta historike dhe njerëzore, në çdo fushë.
Ai rikujtoi se ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan realizoi vizitën e parë në vend pas ardhjes së qeverisë së re dhe shtoi se gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe vizita të tjera të ndërsjella.
Ulusoy më tej deklaroi se dy vendet i kanë zgjatur dorën e ndihmës njëri-tjetrit në kohë fatkeqësish, ndërsa theksoi se kanë intensifikuar përpjekjet për të rritur tregtinë dypalëshe.
Ambasadori tha se Maqedonia e Veriut jep një shembull si vend ku kulturat dhe komunitetet e ndryshme etnike jetojnë në paqe dhe harmoni.
“Komuniteti turk i Maqedonisë së Veriut përbën një lidhje të fortë midis vendeve tona, si Ura e Gurit në Lumin Vardar”, shtoi Ulusoy.
“Jemi të kënaqur që komuniteti turk, si qytetarë besnik të këtij vendi, është në harmoni me të gjitha komunitetet e tjera etnike”, theksoi ai.