Erdoğan e Mitsotakis në Nju Jork konfirmuan “klimën pozitive” mes tyre

Erdoğan e Mitsotakis në Nju Jork konfirmuan “klimën pozitive” mes tyre

Dy liderët shkëmbyen mendime edhe për çështje rajonale dhe ndërkombëtare.
Erdoğan e Mitsotakis në Nju Jork konfirmuan “klimën pozitive” mes tyre.     /Foto: AA

Dy liderët shkëmbyen mendime edhe për çështje rajonale dhe ndërkombëtare.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis konfirmuan “klimën pozitive” në marrëdhëniet dypalëshe gjatë takimit të tyre djeshëm në Nju Jork, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Türkiyes. Takimi u mbajt në Shtëpinë Turke (Turkevi) në margjinat e sesionit të 78-të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe morën pjesë po ashtu ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan dhe homologu i tij grek Giorgos Gerapetritis.

“Dy liderët konfirmuan klimën pozitive në marrëdhëniet midis Türkiyes dhe Greqisë dhe vendosmërinë e tyre për ta ruajtur atë”, tha Drejtoria në një postim në rrjetin social “X”.

“Udhëheqësit konfirmuan gjithashtu udhërrëfyesin dhe afatin kohor të kontakteve midis dy vendeve, siç u ra dakord në takimin e ministrave të Jashtëm në Ankara më 5 shtator, ku përfshihen: Takimet në mes të tetorit të zëvendësministrave të jashtëm përgjegjës për dialogun politik dhe agjenda pozitive; takimet në nëntor për Masat e Ndërtimit të Besimit dhe takimi i Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Türkiye-Greqi më 7 dhjetor në Selanik”, thuhet në njoftim.

Dy liderët shkëmbyen mendime edhe për çështje rajonale dhe ndërkombëtare.

“Ata diskutuan fenomenet e fatkeqësive natyrore dhe krizën klimatike, veçanërisht në rajonin e Mesdheut, të cilat kanë prekur shumë të dy vendet në të kaluarën e afërt”, tha Drejtoria.

Gjithashtu, liderët kanë rënë dakord të forcojnë bashkëpunimin dypalësh në mbrojtjen civile si një çështje prioritare.

“Ata ranë dakord gjithashtu të punojnë së bashku për të trajtuar çështjen e migracionit, duke pranuar se kjo është një sfidë e përbashkët për të dyja vendet. Ministrat e Jashtëm u ngarkuan të vazhdojnë punën dhe koordinimin për të çuar përpara udhërrëfyesin e dakorduar”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë turke të Komunikimeve.

TRT Balkan / agjencitë