Erdoğan: Energjia, transporti dhe komunikimi, lokomotiva të zhvillimit / Photo: AA

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në Forumin Energjetik në Istanbul ka deklaruar se energjia, transporti dhe komunikimi janë lokomotiva e zhvillimit dhe se energjia mbetet kushti themelor i industrializimit dhe zhvillimit.

Forumi Energjetik i Istanbulit, i organizuar nga Anadolu nën kujdesin e Ministrisë së Energjisë dhe Burimeve Natyrore, fokusohet në temën "E ardhmja e përbashkët, qëllimet e përbashkëta". Ky forum bashkon liderët globalë të energjisë për të adresuar sfidat e përbashkëta.

Në hapjen e seancës kryesore të forumit, presidenti Erdoğan theksoi se lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila ka kaluar një mijë ditë, ka treguar rreziqet e varësisë nga jashtë, veçanërisht në fushën e energjisë.

"Edhe pse sot nuk ka krizë në furnizimin me energji, gjithmonë duhet të jemi të gatshëm për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji", tha Erdoğan.

Më tej, ai theksoi se Türkiye i kushton rëndësi të madhe reduktimit të varësisë prej jashtë në energji, si dhe zbutjes së presionit që kostot e energjisë i ushtrojnë ekonomisë turke.

"Vazhdojmë rrugën me hapa të vendosur për një Türkiye të pavarur në energji, pa lënë pas dore asnjë fushë dhe pa i kushtuar vëmendje presioneve nga strukturat margjinale. Pavarësisht se çfarë thonë, ne jemi të vendosur që të mos lëmë vendin tonë në nevojë të frikacakëve, në asnjë fushë, duke përfshirë energjinë", tha Erdoğan.

Prodhimi ditor në fushën e gazit "Sakarya", njoftoi presidenti turk, është rritur në 7 milionë metër kub. Me fushat e tjera, shtoi ai, është rritur edhe prodhimi i përgjithshëm vendas në 8 milionë metër kub në ditë.

"Kemi bërë zbulimin më të madh të naftës në historinë tonë në Gabar, një nga rajonet ku nuk mund të eksploronim më parë për naftë për shkak të terrorizmit. Anija jonë 'Oruç Reis' filloi aktivitetet e saj në tri fusha në detet e Somalisë. Shpresoj të marrim lajme të mira nga këto punime", theksoi presidenti Erdoğan.

Më tej, ai njoftoi se në vitin 2024 Türkiye përfundoi gjithsej 84 shpime, veçanërisht në Şırnak, Hakkari dhe Van, dhe në këtë mënyrë zbuluan 66 milionë fuçi rezerva të reja.

"Ne miratojmë një politikë që vendos njerëzit në qendër në çdo fushë, përfshirë energjinë, nuk dëmton natyrën, si dhe përfshin ndjenjë përgjegjësie në nivelin më të lartë", u shpreh Erdoğan.

Siç theksoi ai, pa ua dhënë njerëzve dhe mjedisit "vlerën që meritojnë", nuk prosperon ekonomia globale, nuk garantohet siguria e furnizimit energjetik, si dhe nuk vendoset paqja dhe qetësia në botë.

"Në energjinë bërthamore, synojmë që deri në vitin 2050 të arrijmë në një kapacitet prej 20 mijë megavatësh", tha presidenti turk.

TRT Balkan / agjencitë