Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi një bisedë telefonike me Papa Françeskun mbi konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës dhe përshkallëzimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Erdoğan, sipas Drejtorisë së Komunikimeve të Türkiyes, tha se sulmet e Izraelit ndaj Gazës, të cilat nuk kanë asnjë justifikim në asnjë tekst të shenjtë, kanë arritur në nivelin e një masakre dhe se është e turpshme që komuniteti ndërkombëtar të mbyllë sytë ndaj tyre.
Ai theksoi se të gjitha shtetet duhet të ngrenë zërin kundër kësaj tragjedie humanitare.
Presidenti Erdoğan tha se në rajonin në të cilin ndodhen vendet e shenjta të të tria feve Abrahamike, duke përfshirë besimin e Papës, paqja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm nëpërmjet krijimit të një shteti palestinez të pavarur, sovran dhe gjeografikisht të lidhur, me kryeqytet Kudsin Lindor, bazuar në kufijtë e vitit 1967.
Ai theksoi më tej përpjekjet e rëndësishme të Türkiyes për të ofruar ndihmë humanitare dhe mjekësore në Gaza dhe u bëri thirrje të gjithëve që të mbështesin në mënyrë aktive këto përpjekje për të siguruar shpërndarjen e pandërprerë të ndihmave për civilët e pafajshëm.
Konflikti në Gaza filloi kur grupi palestinez Hamas nisi operacionin "Tufani i Aksa-së", një sulm i papritur i shumëanshëm që përfshinte lëshimin e një breshërie raketash dhe depërtimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri.
Grupi tha se inkursioni ishte në shenjë hakmarrjeje për sulmet në xhaminë Al-Aksa dhe dhunën në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve. Ushtria izraelite më pas nisi fushatë të pamëshirshme ajrore kundër Rripit të Gazës.
Më shumë se 7.900 njerëz janë vrarë në konflikt, përfshirë të paktën 6.546 palestinezë dhe mbi 1.400 izraelitë.
Gjithashtu, 2,3 milionë banorët e Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant, ndërsa autokolonat e fundit e ndihmave të lejuara në Gaza kanë bartur vetëm një pjesë të asaj që nevojitet.