Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan shprehu të premten shpresën se palët në marrëveshjen e drithit të Detit të Zi do ta zgjasin marrëveshjen afati i së cilës do të skadojë të hënën.
"Ne po përgatitemi të presim (presidentin rus Vlladimir) Putin në Türkiye në gusht. Ne jemi të të njëjtit mendim për zgjerimin e korridorit të grurit të Detit të Zi. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres i dërgoi një letër Putinit. Shpresoj që me këtë letër të sigurojmë zgjerimin e marrëveshjes së korridorit të drithit me përpjekjet e përbashkëta," u tha Erdoğan gazetarëve pas lutjeve të së premtes në Istanbul.
Një vit më parë, Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbull për të rifilluar eksportet e grurit nga tri porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat ishin ndërprerë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt të vitit 2022. Një qendër e përbashkët koordinimi u krijua në Istanbul me zyrtarë nga të tria vendet dhe OKB-ja për të mbikëqyrur dërgesat.
Anija e parë që transportonte grurë sipas marrëveshjes historike u nis në gusht nga porti ukrainas i Odesës.
Türkiye, e vlerësuar ndërkombëtarisht për rolin e saj unik ndërmjetësues midis Ukrainës dhe Rusisë, i ka bërë vazhdimisht thirrje Kievit dhe Moskës t'i japin fund luftës me anë të negociatave.
Zyrtarët rusë kanë lënë të kuptohet fuqishëm se këtë muaj ata mund të bllokojnë zgjatjen e marrëveshjes së grurit, duke u ankuar se pjesë të marrëveshjes për të lejuar eksportet ruse kanë mbetur të paplotësuara.