Erdoğan sinjalizon ftesë të mundshme për Bashar al-Assadin / Foto: AA

Presidenti turk sinjalizoi një iniciativë të re diplomatike për paqe me Damaskun, duke sugjeruar një ftesë të mundshme për Bashar al-Asadin e Sirisë.

"Ne, së bashku me presidentin rus Vlladimir Putin, mund të kemi një ftesë për Bashar al-Asadin", u tha Recep Tayyip Erdoğan gazetarëve në fluturimin e tij të kthimit nga Astana, kryeqyteti i Kazakistanit, ku mori pjesë në një samit dyditor të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.

"Nëse Putin mund të vizitojë Türkiyen, ky mund të jetë fillimi i një procesi të ri", tha ai.

"Vitet që kaluan në Siri i kanë treguar qartë të gjithëve nevojën për vendosjen e një zgjidhjeje të përhershme", tha lideri turk, duke iu referuar dhunës dhe kaosit që nga lufta civile e vitit 2011 në vendin arab.

Ai nënvizoi nevojën kritike të Sirisë për rindërtim dhe stabilitet, duke theksuar ndikimin e dëmtimit të gjerë të infrastrukturës dhe trazirave shoqërore.

Erdoğan tha se qetësia e fundit rajonale për këtë çështje mund të hapë derën e paqes me politika dhe qasje që janë pa paragjykime.

"Është problem që destabiliteti në rajon u ofron hapësirë ​​organizatave terroriste, veçanërisht PKK/PYD/YPG-së", deklaroi Erdoğan.

Çrrënjosja e këtyre organizatave terroriste është jetike për të ardhmen e Sirisë, tha Erdoğan, duke theksuar nevojën për krijimin e themeleve demokratike dhe nismave gjithëpërfshirëse të paqes bazuar në ruajtjen e integritetit territorial të vendit.

"Ne gjithmonë i kemi shtrirë dhe do të vazhdojmë t’i shtrijmë dorën e miqësisë fqinjit tonë Sirisë. Ne do të qëndrojmë përkrah një Sirie të begatë, të bashkuar, të bazuar në një kontratë të re sociale të drejtë, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse. Gjithçka që kërkojmë është që Siria të inicojë këtë përqafim të madh dhe të arrijë rimëkëmbjen në çdo aspekt", tha presidenti turk.

Ai tha se nuk janë vendet, por grupet terroriste si PKK-ja dhe degët e saj që janë të shqetësuar për rinovimin e lidhjeve të Ankarasë me Damaskun.

"Dëshira për paqe" e Putinit

Presidenti turk komentoi gjithashtu konfliktin në Ukrainë që vazhdon prej më shumë se dy vitesh, duke shprehur shqetësimin se disa vende dhe subjekte perëndimore po përshkallëzojnë rrezikun e Luftës së Tretë Botërore në mënyrë që të përfitojnë tregtarët e armëve.

Ai tha se Putin ka shfaqur kohët e fundit një dëshirë për paqe, duke iu referuar komenteve të liderit rus se marrëveshjet e Istanbulit të vitit 2022 mbeten "në tryezë" dhe mund të shërbejnë si një bazë për negociatat e paqes me Ukrainën.

Erdoğan tha se arritja e paqes kërkon përpjekje të rëndësishme ndërmjetësimi, për të cilat Türkiye është e angazhuar.

"Ne kemi pyetur: ‘Kur do të arrijmë paqen?’ Përgjigja ishte se nuk ka një afat kohor specifik dhe çelësi qëndron te ndërmjetësuesit si ne, që kanë një ndikim të rëndësishëm", tha ai.

Ai shprehu shpresë për një zgjidhje të konfliktit së shpejti dhe përmendi se ministri i jashtëm turk Hakan Fidan dhe ministri i mbrojtjes Yaşar Güler po monitorojnë në mënyrë aktive situatën.

"Kjo luftë nuk i sjell dobi as Rusisë, as Ukrainës. Fituesit e vetëm të luftës janë tregtarët e gjakut dhe të vdekjes", tha ai.

Erdoğan përsëriti gjithashtu angazhimin e Türkiyes për një sistem global më të drejtë, duke nënvizuar nevojën për respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe përpjekjet gjithëpërfshirëse kundër terrorizmit.

Pritjet e Türkiyes nga sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s

Erdoğan foli gjithashtu për pritshmëritë e Türkiyes nga sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Ai shprehu shpresën se Rutte do të mbështesë interesat e Türkiyes dhe përmendi planet e tij për të vizituar Türkiyes përpara se të marrë detyrën këtë tetor.

Ai theksoi luftën e vazhdueshme të Türkiyes kundër terrorizmit dhe zhgënjimin e saj me aleatët, të cilët, siç tha ai, në kundërshtim me unitetin e NATO-s, nuk e kanë mbështetur Türkiyen në mënyrë adekuate dhe madje kanë inkurajuar organizatat terroriste.

Kërkesë Perëndimit të bëjë presion ndaj Izraelit

Lidhur me sulmet e pamëshirshme të Izraelit në Gaza që kanë vrarë më shumë se 38.000 palestinezë që nga 7 tetori 2023, Erdoğan theksoi nevojën për presion kolektiv nga vendet perëndimore ndaj Tel Avivit për të arritur një armëpushim përfundimtar. Ai shprehu shpresën se ndërhyrja e presidentit amerikan Joe Biden dhe përpjekjet e Katarit do të çojnë në një armëpushim të qëndrueshëm.

Erdoğan tha se Hamasi ka pranuar një draft të propozuar të armëpushimit me amendamente, ndërsa kreu i agjencisë së spiunazhit të Izraelit Mossad po udhëton për në Doha dhe Biden planifikon t’i bëjë thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu për të ecur përpara.

Ai tha se prania ushtarake e Izraelit në administratën greke qipriote nuk i ka përmbushur objektivat e saj dhe theksoi rëndësinë e shmangies së veprimeve që mund të përshkallëzojnë më tej konfliktin.

Polemika e simbolit të ujkut gri

Erdoğan adresoi gjithashtu polemikën rreth festimit të futbollistit turk Merih Demiral në ndeshjen e EURO 2024 kundër Austrisë, të cilën Türkiye e fitoi 2-1, kur ai me gishtat e tij u paraqit me simbolin e kokës së ujkut, e njohur si shenja e ujkut gri në kulturën turke.

Ai tha se askush nuk i kritikon kombet e tjera për simbolet e tyre kombëtare, si shqiponja në uniformat gjermane apo gjeli në këmishën franceze.

Ai tha se gjesti i Merihut ishte një shprehje personale e eksitimit dhe se Ministria e Jashtme turke e ka trajtuar situatën.

Erdoğan shprehu shpresën për një fitore në ndeshjen e së shtunës kundër Holandës në çerekfinale për të kaluar në raundin tjetër dhe tha se ka në plan të ndjekë ndeshjen në Berlin.

AA