Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavuşoğlu u bëri thirrje aleatëve të NATO-s, sidomos ShBA-së, që të ndërprejnë mbështetjen për grupet terroriste në Siri.
“Është plotësisht e qartë se disa aleatë, në krye me ShBA-në, mbështesin organizatat terroriste në Siri. Përsërisim se është e domosdoshme që të ndërprejnë këtë gjë”, tha Çavuşoğlu pas takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bukuresht të Rumanisë.
Kryediplomati turk tha se Türkiye e mirëpret angazhimin e qeverisë së re suedeze në luftën kundër terrorizmit, por duhet të shohë hapa konkretë lidhur me këtë çështje.
Çavusoglu foli edhe për luftën në Ukrainë, duke theksuar se është e rëndësishme që të mbahet komunikimi diplomatik me palët e përfshira.
“Përkundër luftës në Ukrainë, kanalet diplomatike duhet të mbahen të hapura”, deklaroi Çavuşoğlu.
Takime bilaterale në Bukuresht
Ministri i Jashtëm turk po qëndron në Rumani për samitin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s. Në margjinat e samitit, zhvilloi disa takime me homologë nga vendet aleate.
Në një publikim në Twitter, Çavuşoğlu tha se ka takuar Ministrin e Jashtëm të Holandës Wopke Hoekstra, me të cilin ka diskutuar rreth çështjes së Ukrainës dhe zgjerimit të NATO-s.
Çavuşoğlu takoi edhe Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, me të cilin, përveç çështjes së Ukrainës, ka diskutuar edhe bashkëpunimin dypalësh në ekonomi dhe mbrojtje.
Ndërsa, pas takimit me ministren e jashtme gjermane Annalena Baerbock, Çavuşoğlu publikoi në Twitter se e ka përkujtuar atë se “lufta kundër terrorizmit është përgjegjësi e përbashkët e aleatëve të NATO-s”.
Ministri i Jashtëm i Türkiyes takoi gjithashtu edhe homologun ukrainas dhe atë sllovak.