Forumi Energjetik i Istanbulit (Istanbul Energy Forum) i organizuar nga Agjencia Anadolu (AA) nën kujdesin e Ministrisë së Energjisë dhe i Burimeve Natyrore të Türkiyes fillon nesër me temën kryesore "E ardhmja e përbashkët, qëllimet e përbashkëta".
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë e dialogut në nivel global në forumin, i cili do të mbahet me pjesëmarrjen e ministrave të Energjisë nga vende të ndryshme, përfaqësues të organizatave joqeveritare vendase dhe të huaja, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, akademikë, anëtarë të medias dhe emra të njohur të botës së biznesit.
Fjalimet e seancës kryesore të forumit do të mbahen nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, ministri i Energjisë dhe i Burimeve Natyrore Alparsan Bayraktar, drejtori i Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës Fahrettin Altun, si dhe kreu i Bordit Drejtues dhe drejtori i Përgjithshëm i AA-së, Serdar Karagöz.
Në Forumin që do të mbahet nën moderimin e ministrit Bayraktar me titullin "Sfidat dhe mundësitë për një të ardhme elastike", do të marrin pjesë si folës ministri i Energjisë së Azerbajxhanit Parviz Shahbazov, ministri bullgar i Energjisë Vlladimir Malinov, ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë Peter Szijjarto, ministri i Energjisë i Moldavisë Victor Parlicov, ministri libanez i Naftës dhe i Gazit Khalifa Abdulsadek, ministrja serbe e Energjisë dhe e Minierave Dubravka Dedoviq-Handanoviq dhe ministri i Energjisë i Uzbekistanit Jurabek Mirzamakhmudov.
Gjithashtu, Forumi do të vazhdojë me seancën speciale të BOTAŞ të titulluar "Dinamika e Re e Sigurisë së Gazit: Perspektiva Rajonale" pas sesioneve "Pritshmëritë për teknologjitë e reja dhe karburantet në konvertimin e energjisë inteligjente" dhe "Financimi i Transformimit të Energjisë: Pritshmëritë dhe Prioritetet" ndërsa do të përfundojë me "Takimin e falënderimeve dhe vlerësimit të Agjencisë Anadolu".
Në Forumin që do të mbahet nesër në Qendrën e Kongreseve të Istanbulit dhe i cili do të zgjasë gjatë gjithë ditës, krahas temave si objektivat rajonalë në sektorin energjetik, roli i Türkiyes në sigurimin e furnizimit me gaz natyror, financimi i transformimit të energjisë do të diskutohen edhe shumë tema me agjendat rajonale dhe ndërkombëtare në sektor.